Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti për barrikadat: Vetë i vunë, vetë po i heqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës.

Kurti ka thënë se serbët “vetë i vunë barrikadat dhe vetë po i heqin ato”.

Sipas tij, është më mirë që ato po hiqen pa ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën” – ka thënë Kurti sot në një takim me gazetarët.

Në këtë takim të fundvitit me gazetarë, ai ka falënderuar ata që janë duke raportuar nga veriu i vendit.

“Viti 2022 ishte vit i krizave të shumëfishta por në Republikën e Kosovës njëkohësisht ishte vit i rritjes së ekonomisë, ligjshmërisë dhe demokracisë brenda vendit tonë si dhe i imazhit të Kosovës jashtë në botë” – tha ai.

Gati tri javë pas vendosjes së tyre, sot ka filluar largimi i barrikadave në Rudarë.

Largimi i tyre ka ardhur pas takimit që presidenti i Serbisë e ka mbajtur mbrëmë në Rashkë, ku u premtua që brenda 24 deri në 48 orë do të bëhet largimi i barrikadave.

Bllokimi i rrugëve të veriut erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryet vepra penale terroriste.

Pantiq fillimisht u dërguar në paraburgim nën dyshimin se i njëjti më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmet që ndodhën në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore. Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Më 28 dhjetor, me kërkesë të Prokurorisë, Pantiqit iu zëvendësua masa e paraburgimit me atë të masës së arrestit shtëpiak.