Kurti: KFOR ka kërkuar kohë, nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se për situatën në veri janë në koordinim të plotë me KFOR-in.

Kurti njoftoi se ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla është duke qëndruar në Mitrovicë tërë kohën dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me komandën e KFOR-it për heqjen e barrikadave.

“Ne jemi në koordinim, komunikim të rregullt, të vazhdueshëm, intensiv me KFOR-in dhe padyshim që nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla por mos harroni se ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundi është fillimi i fazës së fundit të tyre” – tha Kurti.

Kurti ka përmendur edhe protestën e dhjetëra serbëve gjatë ditës së djeshme nw afwrsi tw pikws kufitare mes Kosovws dhe Serbisë.

“Nuk mund të them se bëhet fjalë për protestë civile, kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë të kthehet Kosova në vitet 1999 dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën. Do të dështojnë gjithmonë siç dështuan edhe dje” – u shpreh Kurti duke shpjeguar se organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare janë përkujdesur për sigurinë dhe paqen.

Kryeministri shtoi se qeveria është infrastrukturë për organet shtetërore të sigurisë.

“Policia e RKS, Agjencia e Kosovës për Inteligjence janë organe shtetërore që po i luftojnë dhe do të ngadhënjejnë suksesshëm mbi të gjitha këto banda e individë të cilët duke e parë suksesin e Kosovës, dëshirojnë ta destabilizojnë atë, por do të dështojnë. Ata i kanë bërë një kërkesë KFOR-it, ajo është kërkesë jo reale e cila flet më shumë për ata, se për vendin tonë. Kurrë nuk ka pas nevojë për ushtar serb në RKS, kurrë nuk ka pas nevojë për ushtar serb në shekullin 20, as 19 dhe tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin 19 dhe në shekullin 20” – theksoi Kurti.

“Natyrisht se NATO do të jetë kundër dhe po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ushtarët e gjorë serbë të cilët këta pretendojnë se do t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa e fuqisë së tyre”- shtoi kryeministri.

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për dhjetë ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Gjatë ditës së djeshme KFOR ka krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar në zonën ku janë policia në Jarinjë. Kordonet janë vendosur në mes bazës së policisë kufitare dhe pikës kufitare e poashtu në pjesën e poshtme.