Barrikadat në Rudarë, Foto: KALLXO.com/ 14.12.2022

Kush duhet t’i largojë barrikadat në veri?

Është dita e shtatë që nga vendosja e barrikadave në rrugët nacionale që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Rrugët janë bllokuar kryesisht nga banorë serbë lokalë, por autoritetet e Kosovës thonë se barrikadat janë vendosur me urdhër të Beogradit.

Në mesin e barrikaduesve janë parë edhe persona me të kaluar kriminale, prej tyre edhe të armatosur.

Pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve perëndimorë për heqjen e tyre, barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë aty, madje edhe po shtohen.

Udhëheqësit e Kosovës thonë se është KFOR-i ai që do të bëjë largimin e barrikadave.

Ndërkaq, KFOR-i ende nuk ka dhënë ndonjë sqarim për këtë çështje, pavarësisht se KALLXO.com ka dërguar pyetje dhe ende s’ka marrë përgjigje nga forca shumëkombëshe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga ana e KFOR-it është kërkuar kohë për të vepruar.

Gjatë ditës së sotme, nga KFOR-i kanë thënë se mbesin jashtëzakonisht vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të zbatuar mandatin për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Kjo përfshin patrullimet e zgjeruara në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”- ka thënë KFOR.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka thënë se më së miri do të ishte që barrikadat t’i largojnë vetë ata që i kanë vendosur. Sipas tij, në mesin e këtyre persona ka edhe të armatosur.

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë bërë me dije që janë të pajtimit që largimi i barrikadave të bëhet me marrëveshje e jo me ndërhyrje të forcave të sigurisë.

Të paktën kështu është përgjigjur përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kur u pyet nëse ka kërkuar nga KFOR-i që të intervenojë për largimin e barrikadave.

“Unë jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është nëse bëhet si rezultat i një marrëveshjeje politike e jo me buldozerë” – ishte shprehur Lajçak.

KFOR apo Policia, cilët të intervenojnë?

Për largimin e barrikadave janë dhënë disa opsione.

Dikush thotë që më e mira e gjithë kësaj pune është që të largohen nga vetë ata që i kanë vendosur, dikush është në pritje të marrëveshjes politike, dikush tjetër në pritje të KFOR-it, e të tjerët e vlerësojnë si të duhur edhe intervenimin e Policisë së Kosovës.

Rashit Qalaj, ish-drejtori i Policisë, tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se ka ardhur koha që Qeveria t’u kërkojë zyrtarëve policorë që të angazhohen në largimin e barrikadave.

Ai e sheh si të pakuptimtë praninë e barrikadave në rrugët në veri të Kosovës. Ai shton se Qeveria nuk ka ide se çka duhet të bëjë.

“Si duket Qeveria është duke pritur nga bashkësia ndërkombëtare, respektivisht nga KFOR që këto barrikada të largohen e unë mendoj që kjo është gabim meqenëse çdo veprim i KFOR do të kthente Kosovën disa vite më pas” – shprehet Qalaj duke shtuar se Policia e Kosovës është reaguesi i parë, organi i vetëm për zbatimin e ligjit në Kosovë.

Ish-udhëheqësi i Policisë pajtohet me mendimin që më së miri do të ishte që barrikadat të largohen nga ata që i vendosën, e kjo me qëllim që të mos ketë konfrontime të forcave të sigurisë me palën tjetër, por insiston se Qeveria duhet t’i kërkojë Policisë që të kryejë punën e saj.

Madje, Qalaj thotë se nga Policia duhet të kërkohet më shumë sesa veç largimi i barrikadave. Ai thotë se zyrtarët policorë, me kërkesë të Qeverisë, duhet të zhvillojnë një aksion për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave me maska dhe të atyre që kanë qenë në posedim të armëve në barrikada dhe kudo në komunat veriore.

Mirëpo, një mendim tjetër e ka eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, i cili në disa përgjigje për KALLXO.com thotë se vendosja e barrikadave në veriun e vendit ka rënduar situatën e sigurisë në Kosovës.

“Pengimi i lirisë së lëvizjes është veprim i rëndë sigurie, andaj largimi i pengesave duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës” – thotë ai duke shtuar se përfshirja e Policisë së Kosovës në largimin e barrikadave mund të eskalojë.

Prandaj ai tha se vlerëson që largimi i barrikadave më së miri është të bëhet nga KFOR-i dhe jo nga intervenimi i Policisë së Kosovës, veprim i cili, sipas Elezit, do bënte që grupet kriminale të kenë rezistencë dhe njëkohësisht situata e sigurisë të përshkallëzohej.

“Sa i përket asaj se a duhet pritur marrëveshje për të larguar barrikadat, kujtoj se KFOR-i është institucion i cili zbaton mandatin e tij, dhe në asnjë mënyrë nuk negocion apo ulet me grupe terroriste ose kriminale” – shprehet Elezi.

Eksperti i sigurisë tregon se vendosja e barrikadave është bërë me q[llim që grupet kriminale të përfitojnë nga largimi i tyre, duke thënë se këto grupe po bëjnë kërkesa q[ janë të parealizueshme.

“Grupet kriminale po bëjnë kërkesa të parealizueshme si puna e lirimit të ish-zyrtarit policor, i cili dyshohet se është përfshirë në veprat penale të terrorizmit” – thotë Elezi.

Për largimin e barrikadave të vendosura në veriun e Kosovës Elezi nuk ka shpresë që të largohen në ditët në vijim.

Ai madje thotë se në bazë të situatës së krijuar, brenda kësaj jave nuk mund të ndodhë diçka e tillë.

Grupet kriminale, të dyshuarit për destabilizim të situatës në veri

Duke mos përmendur emra të përveçëm, zyrtarët shtetërorë, shumica me pozita udhëheqëse, pyetjes se kush i ka vendosur këto barrikada e kush po i ngrit tensionet në veri i përgjigjen me vetëm dy fjalë; grupet kriminale.

Është vetë e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani që në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka folur për situatën në veri të vendit, duke thënë se bandave kriminale nuk po u pëlqen zbatimi i ligjit në tërë territorin.

“Veriu vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë, por ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri në çdo cep të territorit. Natyrisht që bandave kriminale nuk po ju pëlqen zbatimi i ligjit në tërë territorin, nuk i pëlqen lufta e pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Ata do të përballen me drejtësinë për kërcënimin që po ua bëjnë qytetarëve tanë” – deklaroi Osmani.

Ndërsa shefi i ekzekutivit, Albin Kurti thotë se barrikadat janë ngritur nga qindra pjesëtarë që u përkasin strukturave ilegale të shndërruara në banda kriminale, për të cilët thotë që udhëhiqen prej personave që në njërën anë kanë fletarrestim nga Republika e Kosovës e në anën tjetër janë në listën e zezë të Thesarit amerikan.

Ai thotë se ngritja e këtyre barrikadave nuk është bërë nga serbët lokalë të Kosovës.

Një mendim të njëjtë si Kurti e ka edhe bashkëpartiaku dhe ministri i tij, Xhelal Sveçla, që udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ai një ditë pas vendosjes së këtyre barrikadave në një konferencë për media u shpreh se ngjarjet e ndodhura ditëve të fundit në veriun e Kosovës janë bërë nga këto grupe. Sveçla në këtë pjesë përmend edhe sulmet që ndodhën ndaj zyrtarëve policorë, EULEX-it e objekteve institucionale në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Janë ngritur barrikada në komunat: Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Në disa lokacione janë hedhur shok-bomba, ndërsa njësitet policore kanë shkëmbyer zjarr me disa grupe kriminale pas një sërë sulmesh të organizuara nga këto grupe afër digës së liqenit të Ujmanit. Situata është vendosur nën kontroll dhe është në vëmendje të shtuar” – ishte shprehur Sveçla.

Edhe ish-drejtori i PK-së ndan një mendim të njëjtë me pozitarët. Ai thotë se në barrikada nuk qëndrojnë qytetarët e thjeshtë, por sipas tij qëndrojnë kriminelët e ndryshëm.

“Janë njerëz të ardhur në Kosovë nga jashtë, forca të ndryshme të errëta që i dërgon Serbia dhe i përdor Serbia, pra pjesëtarë të krimit të organizuar” – thotë Qalaj.

Ai tregon se mendimi i tij është që serbët lokalë të Kosovës në komunat veriore janë duke u përdorur si mjet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë, duke shtuar se serbët e Kosovës nuk guxojnë ta bëjnë asnjë veprim në kundërshtim me atë se si urdhërohen nga presidenti i Serbisë.

“Presidenti i Serbisë është duke bërë një terror të egër, kërcënime të egra ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb të cilët realisht janë të frikësuar për pronën dhe jetën e tyre në rast se ata tentojnë të respektojnë vendimet e Qeverisë dhe ligjet e Kosovës” – shprehet Qalaj.

Ai thotë se e drejta e protestës është e garantuar me Kushtetutë për çdo komunitet, për çdo individ, për çdo person, por që kufizimi i lirisë së lëvizjes, bllokimi i rrugëve nuk lejohet me asnjë ligj që është në Kosovë.

“Serbët nëse duan të protestojnë kanë mënyra dhe lokacione ku realisht edhe mund të protestojnë, por nuk lejohet bllokimi i lirisë së lëvizjes, i rrugëve kryesore që shpien në pikat kufitare, bllokimi i lëvizjes së trupave të Policisë së Kosovës, të policisë kufitare dhe policisë së rregullt që janë duke operuar në komunat veriore” – thotë Qalaj.

Çka nga kërkesa e Serbisë për dërgim të ushtrisë serbe në Kosovë?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje në mbrëmje në televizionin publik të Serbisë, RTS deklaroi se Qeveria serbe ka marrë vendim që KFOR-it t’ia dorëzojnë kërkesën për kthimin e forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës.

Një paralajmërim të tillë Vuçiq e kishte bërë para disa ditëve, përderisa dje u tha se vendimi është marrë unanimisht, duke e quajtur këtë si “vendim të mirë që do të ulte tensionet”.

Këtyre paralajmërimeve u është përgjigjur homologia e tij, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se “në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të ketë kurrë më policë dhe ushtarë të Serbisë”.

Kundër këtyre paralajmërimeve ka qenë edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Madje Escobar kishte treguar se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Edhe kryeministri Kurti kishte reaguar ndaj kërcënimeve të Serbisë për të dërguar forcat e saj policore e ushtarake në Kosovë. Ai ka thënë se Kosova nuk do konflikt, do paqe e progres, por agresionit do t’i përgjigjej me gjithë fuqinë.

E në anën tjetër edhe Rashit Qalaj ka folur për KALLXO.com për këtë çështje, duke thënë se deklaratat e palës serbe janë ‘ëndrra të vjetra serbe që Kosovën prapë ta kenë nën thundrën e policisë dhe ushtrisë së tyre’.

“Deklaratat luftënxitëse dhe armiqësore të presidentit Vuçiq nuk janë të reja, ato realisht janë vetëm për konsum të brendshëm, por nuk janë vetëm deklarata e tij por edhe të aparatit shtetëror serb” – ka thënë ai.

Qalaj tregoi se Serbia po harron që Kosova është një vend sovran, i lirë, që ka policinë e ushtrinë, si dhe e ka edhe një popullatë të tërë që do të jetë e gatshme të reagojë të mbrojë kufijtë, territorin e Kosovës pa asnjë hezitim.

Edhe eksperti i sigurisë Elezi e komentoi këtë situatë duke thëne se deklarimet e Qeverisë dhe presidentit të Serbisë për futjen e forcave ushtarake në territorin e Republikës së Kosovës, që garantohet nga NATO, janë deklarime për konsum politik.

Madje ai thotë se deklarata të tilla po ngritin moralin e grupeve kriminale në veri për të organizuar dhe ushtruar, sipas Elezit, aktivitete të dhunshme.