ShBA dhe BE: Po punojmë me Kurtin dhe Vuçiqin për të gjetur një zgjidhje politike

Përmes një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të shqetësuar për situatën e tensionuar në veri të vendit.

ShBA dhe BE ju kanë bërë thirrje palëve përmbahen maksimalisht dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur situatën.

“I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo kërcënimet” – thuhet në deklaratë.

Sipas komunikatës, ShBA dhe BE po punojnë me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të rënë në dakord.

“Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për të zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale” – theksojnë ShBA dhe BE.

Duke i quajtur barrikadat ‘paqësore’, ShBA dhe BE thonë se mirëpresin që lidershipi i Kosovës të konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për barrikadat.

“Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet” – thuhet mes tjerash në deklaratën e përbashkët.

Më tej në deklaratë thuhet se ShBA do të mbështesë punën e BE-së përmes Misionit të tyre për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), për të monitoruar nga afër hetimin dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut.

“Ne gjithashtu presim që Kosova dhe Serbia të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Të gjitha detyrimet e Dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë” – deklarojnë ShBA dhe BE.

Barrikadat janë shtuar dita ditës, derisa më 27 dhjetor janë vendosur edhe dy barrikada të reja, njëra te udhëkryqi i shkollës teknike afër “Lagjes së Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe tjetra te “Kërshi i Dudit” në Zveçan.

Dje është mbyllur pikëkalimi kufitar në Merdarë, për shkak të vendosjes së barrikadave në Serbi rreth dy kilometra nga ky kufi.

Ky është pikëkalimi i tretë kufitar me Serbinë, i cili është bllokuar për qarkullim që nga 10 dhjetori, kur edhe ka filluar vendosja e barrikadave të para në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq. Pantiq është i akuzuar për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut më 6 dhjetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka përsëritur se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave në veri derisa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ripërsëritur se Kosova i ka kapacitetet për largimin e këtyre barrikadave.