Foto KALLXO.com

Kërcënimi ndaj ekipit të KALLXO.com, Policia interviston të dyshuarin

Ekipi i KALLXO.com më 26.02.2024 është kërcënuar nga një banor i Klinës së Mesme në Skenderaj, përderisa po trajtonte një problematikë e cila së fundmi ka dalë në pah – ndërtimi i një kishe në atë fshat.

KALLXO.com e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se në lidhje me këtë rast është intervistuar i dyshuari dhe pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

“Viktima femër kosovare (gazetare) ka deklaruar në polici se derisa ka qenë duke e realizuar një kronikë rreth ndërtimit të një objekti fetar është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është intervistuar dhe pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në raport.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), të cilët e kanë dënuar në çdo formë të kërcënimit ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë medial.

AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që rastin ta trajtojë me prioritet.

Kërcënime serioze, fyerje, sharje e deri te ngritja e dorës drejt ekipit të KALLXO.com u bënë në një fshat të Skenderajt.

Gjatë ditës së hënë, 26.02.2024, ekipi i KALLXO.com, i përbërë nga gazetarja Adelinë Ahmeti dhe kameramani Jetmir Hoxha, janë kërcënuar seriozisht nga Mustafë Hasani, një qytetar nga Klina e Mesme, fshat në komunën e Skenderajt.

Ekipi i KALLXO.com po trajtonte një problematikë e cila së fundmi ka dalë në pah – ndërtimi i një kishe në fshatin Klinë e Epërme.

Pasi ekipi kishte marrë versionet e banorëve të Klinës së Epërme për ndërtimin e kishës që ishte ide e Ndrekë Kelmendit, ekipi i KALLXO.com shkoi te Ndrekë Kelmendi për ta takuar dhe për të biseduar lidhur me pengesat që i pati për ndërtimin e kishës.

Më 26.02.2024, ekipi i KALLXO u nis drejt shtëpisë së Ndrekë Kelmendit, aty u prit nga ky i fundit ndërsa vetëm pak momente më vonë në oborrin e tij kishte shkuar vëllai i tij, Mustafë Hasani (i identifikuar nga Policia në Skenderaj).

Me vrull, gjuhë fyese, kërcënuese, sharje e ofendime ekipi i KALLXO.com u ballafaqua për disa minuta nga vëllai i Ndrekë Kelmendit, Mustafë Hasani.

Madje diskutimi nga ana e Mustafë Hasanit shkoi deri te ballafaqimi ballë për ballë me ekipin me tone të larta dhe kërcënuese ndërsa ekipi i bëri me dije se po pengohej në kryerje të detyrës dhe po kërcënohej.

Mustafë Hasani vazhdoi edhe për disa momente fyerjen, ofendimet dhe kërcënimet ndaj ekipit të KALLXO.com deri sa në një moment tha edhe: “Ec, ec, veç të shkoj në shpi se pa jau ** atë nanë s’e la”.

Për rreth 4 minuta ka vazhduar situata e tensionuar ndërsa Ndrekë Kelmendi disa herë i kishte kërkuar vëllait të tij, Mustafë Hasanit, që të largohet nga oborri sepse ai e priti ekipin e KALLXO.com

Pas kësaj situate, Ndrekë Kelmendi ftoi për bisedë, qetësisht, ekipin e KALLXO.com duke arsyetuar vëllanë e tij.

Ekipi i KALLXO.com kërcënohet në një fshat të Skenderajt