Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

KEK-u jep detaje rreth bllokut A3 që doli jashtë funksionit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se sot rreth orës 10:00, në kaldajë të njësisë prodhuese A3 janë shfaqur rrjedhje të ujit dhe si pasojë është pamundësuar mbajtja e kësaj njësie në operim.

Në njoftim thuhet se ekspertët e KEK-ut janë duke dhënë maksimumin për rikthimin e njësisë në operim në kohë optimale.

“Aktualisht ka filluar procesi i ftohjes së njësisë në mënyrë intensive, pastaj do të bëhet inspektimi i cili pason me sanimin e rrjedhjes në kaldajë dhe përgatitjet për kthimin e kësaj njësie në operim” – thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Sot gjatë ditës KEDS njoftoi për rënien e bllokut A3 nga sistemi dhe si rezultat është përkeqësuar situata e furnizimit me rrymë elektrike.