Ilustrim

KEK-u blen 5 mijë maska njëpërdorimëshe

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar kontratë 3,750 euro për furnizim emergjent me 5 mijë maska njëpërdorimëshe.

Kontrata me kompaninë fituese “Liri – Med” SH.P.K. është nënshkruar brenda dy ditëve përmes një procedure të negociuar.

Tenderi ishte iniciuar më 8 prill dhe është nënshkruar më 10 prill.

Kompania fituese do të furnizojë KEK-un vetëm me maska higjienike të cilat i ka blerë me çmim 0.63 centë.

Kompania fillimisht kishte ofertuar me çmimin për një maskë 0.65 centë, por pas negocimit, ky çmim ka rënë në 0.63 centë.

Koha e realizimit të kësaj kontrate është vetëm 1 ditë.

Përhapja e pandemisë së coronavirusit ka detyruar shumë institucione që të furnizohen në mënyrë emergjente me materiale për mbrojtjen e stafit, që nga 13 marsi, kur është shënuar rasti i parë me coronavirus në Kosovë.

KALXO.com ka kontaktuar me Zyrën e Informimit në KEK për t’i pyetur nëse ia kanë marrë maskat sipas kushteve të kontratës.

“Ju konfirmojmë se të gjitha maskat (5000 copë) janë liferuar nga kontraktori Liri-Med sipas afatit të përcaktuar në kontratë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim në KEK.

Më tej ata kanë shtuar se prej fillimit të pandemisë janë nënshkruar 5 kontrata për mjete mbrojtëse kundër COVID-19. Nga to, 3 janë realizuar, një nuk është realizuar sepse kompania ka dështuar në liferimin e mallit me ç’rast i është ndërprerë kontrata dhe një është në realizim e sipër.

Para disa ditëve KEK-u kishte nënshkruar disa kontrata në vlerë mijëra euro për t’u pajisur me maska higjienike, dorëza dhe dezinfektues, për luftimin e pandemisë COVID-19.

Komuna e Deçanit ka nënshkruar kontratë për blerjen e një dezinfektuesi 50ml për 4 euro. Por, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj e kishte ndal blerjen e këtij produkti.
Komuna e Podujevës, në anën tjetër, ka paguar 15 euro për një palë uniforma njëpërdorimëshe, kurse për të njëjtën Komuna e Deçanit kishte paguar vetëm 4 euro.