KEDS në veri inspekton pikat matëse kufitare
Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike, (KEDS) po bën inspektimin e pikave matëse kufitare në veri të vendit.
Në një njoftim bëhet e ditur se inspektimi po bëhet nga drejtorët në KEDS: Shukri Aliu – Departamenti i Humbjeve, Bujar Jupaj – Departamenti i Sistemit të Operimit, dhe Milazim Avdiu – Departamenti i Operimeve, i përcjellur nga ekipet e majteve dhe mbrojtje.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 1 janari i vitit 2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.
Sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.
“Më 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, – kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës – ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 vjetësh, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, shkroi ai në Facebook.
Më 9 dhjetor është bërë e ditur se Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Elektroserver kanë nënshkruar një kontratë komerciale.
Zevendëskryeministri Besnik Bislimi, pati deklaruar se nënshkrimi i kësaj kontrate është hap tutje në normalizim të faturimit dhe furnizimit me energji në katër komunat në veri të Kosovës.
Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.
Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Kryeministri Albin Kurti në shkurt të këtij viti kishte thënë se pagesa e rrymës për katër komunat në veri, buxhetit të Kosovës që nga viti 1999 i ka kushtuar rreth 320 milionë euro.