Katër fëmijë me nevoja të veçanta bëhen me karroca speciale të siguruara përmes shitjes së maskave

Katër fëmijë me nevoja të veçanta janë pajisur sot me karroca speciale. Blerja e karrocave u mundësua pas shitjes së maskave.

Karrocat janë siguruar nga fondi i mbledhur nga “Islamic Relief Kosova” me seli në Prishtinë, përmes kampanjës ‘Blej një maskë, bëji me karrocë fëmijët me aftësi të kufizuara’.

“Islamic Relief Kosova” në bashkëpunim me organizatën “Handikos”, kanë bërë sot shpërndarjen e karrocave te fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Ka qenë një aksion për shitjen e maskave dhe nga shitje e tyre i kemi siguruar fondet e mjaftueshme për t’i pajisur këta fëmijë dhe kampanja ka qenë e suksesshme”, u shpreh Lavdim Gashi, menaxher i departamentit për grumbullimin e fondeve në “Islamic Relief Kosova”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se karrocat kanë një kosto të lartë dhe të papërballueshme për ekonominë familjare në Kosovë.

“Prandaj ky do të jetë një lehtësim i madh për ta. Urojmë që iniciativa të tilla të ketë sa më shumë dhe të përfitojnë sa më shumë fëmijë, duke qenë se kërkesat dhe nevojat janë të mëdha”, u shpreh Kaltërina Misini, zyrtare për komunikim në “Handikos”.