HANDIKOS: Nga 55 mijë nxënës në 144 shkolla të Kosovës, 2% e tyre me aftësi të kufizuara

HANDIKOS me mbështetje të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë sot ka lansuar raportin hulumtues “Qasja e shkollave të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët për fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë’’, i cili tregon nivelin e qasjes që ato ofrojnë për fëmijët me aftësi të kufizuara, i realizuar në kuadër të projektit “Avancimi i situatës së fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë’’.

Sipas raportit, vlerësimi disamujor në 144 shkolla të shtatë regjioneve të Kosovës pasqyron një situatë jashtëzakonisht problematike sa i përket mundësisë së qasjes fizike për të gjitha grupet e komunitetit me aftësi të kufizuara, ku nga më shumë se 55 mijë nxënës, vetëm 2 % e tyre janë me aftësi të kufizuara.

Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, ka theksuar tri llojet e diskriminimeve që u bëhen personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ndërsa thotë se shteti nuk po ua jep mbështetjen e duhur këtyre personave.

“Një ndër tri llojet e diskriminimeve që përballen personat me aftësi te kufizuara janë edhe diskriminimi i rrethit apo ambientit ku ndërtesat, rrugët dhe trotuaret dhe transporti nuk janë të dizajnuara sipas nevojave të cilave atyre u përshtaten edhe diskriminimi institucional ku ligjet apo shërbimet administrative nuk zbatohen apo nuk i marrin parasysh nevojat e personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë Maliqi.

Ai tutje ka shtuar se Qeveria e Kosovës nuk i ka përfshirë personat me aftësi te kufizuara në hartimin e planeve, për arsye se personat me aftësi të kufizuara llogariten që janë më të varfërit edhe me të rrezikuarit edhe në aspektin shëndetësor.

“Kemi informacione që edhe këta janë prekur dhe kanë vdekur nga COVID. Ne i adresojmë çdo 3 dhjetor këto qasje, por nuk kemi gjetur përkrahje nga qeveritë që kemi pasur”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Ramë Likaj thotë se po punojnë për gjithëpërfshirje të fëmijëve në edukimin e rregullt në Kosovë.

“Ne jemi duke u munduar që të sigurojmë gjithëpërfshirje tek të gjithë personat e margjinalizuar. Sa i përket sistemit të arsimit e dini që kemi trashegu ndërtesa arsimore që janë nga kohë të ndryshme sidomos ato që kanë qenë para lufte janë ndërtu me specifika të ndryshme të cilat nuk kanë ofru qasje për fëmijët me aftësi te kufizuara, kjo ka ndodhë deri pas luftës dhe deri më tani nuk i kanë plotësu nevojat per këtë kategori të fëmijëve”, thotë Likaj.

Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, Murat Sahin, ka thënë se me rëndësi e kanë gjithëpërfshirjen e madhe.

Për UNICEF është e rëndësishme që të gjithë fëmijët të kenë qasje të barabartë. Të gjithë e dimë që ka shumë vështirësi që fëmijët me aftësi të kufizuara përballen, veçanërisht në kohë të COVID-19 shpresoj që të gjithë janë të shëndoshë. Të gjithë e dimë që qasja fizike është shumë e rëndësishme të gjithë e dimë që duke mos pasur asistentë është një barrierë e madhe”, ka theksuar ai.

Avokuesi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, Eldin Gashi, ka bërë thirrje për qasje të barabartë me gjithë fëmijët.

“Shumë fëmijë në Kosovë janë të detyruar ta braktisin shkollën dhe ata fëmijë mbesin anash. Ndaj me qëllim që ta rrisim zërin për këta persona, në emër të grupit “Hena” po bëj thirrje tek institucionet relevante për qasje të barabartë për të gjithë fëmijët në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Raporti tregon se hyrjet e qasshme, hapësirat në klasa, tualetet, shenjëzimi, fushat taktike, ashensorët dhe parkingjet, nuk janë sipas standardeve dhe udhëzimit administrativ 33/2007.

“Rampat nuk ekzistojnë në 18 % të objekteve të vlerësuara, ndërsa 55% të tyre nuk janë të ndërtuara sipas standardeve, në 72 % të shkollave nuk ka tualete të qasshme, 89 % të shkollave nuk kanë fare ashensor, nga 144 shkollat vetëm në pak raste janë hasur shenjëzimet qasëse, 21 % të shkollave nuk ofrojnë  hapësira te mjaftueshme nëpër klasa, derisa, parkingjet janë 100% të pa qasshme”, thuhet në raport.

HANDIKOS dhe UNICEF kërkojnë nga institucionet vendore që të mundësojnë gjithëpërfshirje për të gjithë fëmijët në Kosovë dhe të përmbushet e drejta elementare e tyre, e që është qasshmëria në çdo ambient i cili i rrethon.