Foto: MAShTI

Ministria e Arsimit nënshkruan marrëveshje për gjithëpërfshirje të fëmijëve më aftësi të kufizuara në arsim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Down Syndrome Kosova (DSK), synimi i të cilës është gjithëpërfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim.

Lajmi është publikuar nga Ministria.

“Me qëllim të gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara (sindromë Down) në sistemin e arsimit dhe ofrimit të arsimit cilësor bazuar në nevojat individuale, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës ‘DownSyndrome Kosova (DSK)’, Sebahate Beqiri, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi”, thuhet në njoftimin e MAShTI-t.

Sipas këtij njoftimi, Ministria dhe DSK janë pajtuar të bashkëpunojnë në zbatim të aktiviteteve për nxënësit me sindromën Down.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se gjithëpërfshirja është prioritet i MAShTI-t.

“Edhe avancimi i shërbimeve në arsim për të gjithë fëmijët, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë, duke vënë në dispozicion më shumë resurse humane dhe financiare”, ka thënë Nagavci.

Ndërsa, drejtoresha e DSK-së, Sabahate Beqiri, ka thënë që shoqata është e gatshme të japë maksimumin me kapacitetet që ka.