Karriera e gjatë ushtarake e Stuart Peach, emisarit të posaçëm të Britanisë për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson e ka emëruar Stuart Peach, të dërguar  të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, i cili ka një karrierë të gjatë ushtarake në kuadër të Aleancës Veriatlantike (NATO).

Stuart Peach do të marrë këtë pozitë, pas dorëheqjes si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në fillim të këtij viti, post që ai e mbajti që nga viti 2018.

Më herët ai ka shërbyer  gjithashtu si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar. Ai ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë në vitin 2000.

Në një biografi të NATO-së për Peach thuhet se ai është oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s dhe është këshilltar ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut. Përveç kësaj, ai është oficeri më i lartë në detyrë në Mbretërinë e Bashkuar.

Stuart Peach në studimet bachelor ndoqi Universitetin e Sheffield ndërsa në master në Universitetin e Kembrixhit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Ai mban katër doktorata nderi nga Universitetet e Mbretërisë së Bashkuar.

Në kuadër të Forcës Ajrore Mbretërore në 1974, ishte kualifikuar si instruktor bërthamor, armësh dhe lufte elektronike.

Në biografinë e tij tutje përmendet se ai ishte Komandant Ajror në Shtabin e KFOR-it (NATO) në Kosovë dhe zëvendëskëshilltar i lartë ushtarak britanik në Komandën Qendrore të Shtabit të SHBA-së  në vitet 2001-2002.

Stuart Peach ishte drejtor i Koleksionit të Përgjithshëm të Inteligjencës në Ministrinë e Mbrojtjes 2003-2006 dhe Shef i Inteligjencës së Mbrojtjes dhe zëvendëskryetar i Komitetit të Përbashkët të Inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar 2006-2009, ku ai mbajti vendin e Britanisë së Madhe në Bordin e Inteligjencës së NATO-s.

Ai mbajti pozitën e Shefit të Operacioneve të Përbashkëta në nga marsi 2009 deri në dhjetor 2011 duke komanduar të gjithë elementët e Forcave të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të operacioneve të NATO-s në Afganistan, Irak dhe Libi përpara se të bëhej Komandanti i parë i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar nga dhjetori 2011 deri në prill 2013.

Ai ishte zëvendësshef i Shtabit të Mbrojtjes nga maji 2013 deri në maj 2016 dhe ishte përgjegjës për të gjithë personelin ushtarak të Britanisë së Madhe në NATO. Ai ishte Shef i Shtabit të Mbrojtjes nga korriku 2016 deri në qershor 2018 dhe mori rolin e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s në qershor 2018.

Peach është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Qeveria britanike: Stuart Peach do të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi