Stuart Peach, i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i Britanisë së Madhe, Foto: Qeveria britanike

Britania e Madhe e emëron ish-oficerin e NATO-s të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson e ka emëruar Stuart Peach, të dërguar  të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Stuart Peach do të marrë këtë pozitë, pas dorëheqjes si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në fillim të këtij viti, post që ai e mbajti që nga viti 2018. Më herët ai ka shërbyer  gjithashtu si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria britanike ka theksuar se i dërguari i posaçëm do të punojë me partnerët në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në adresimin e sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe luftimin e grupeve të krimit të organizuar. Mbretëria e Bashkuar do të luajë një rol të rëndësishëm, duke punuar ngushtë me qeveritë e rajonit dhe partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë britanike.

Si i dërguar i posaçëm i kryeministrit Johsnon, Stuart thuhet se do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, të tjerë në të gjithë rajonin dhe aleatët në SHBA dhe Evropë për të mbështetur dhe forcuar stabilitetin rajonal.

“Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke ndihmuar në trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar dhe sfidave të tjera të përbashkëta të sigurisë dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara si krimet e luftës dhe personat e zhdukur”, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.

Tutje theksohet se përfaqësuesi i lartë ka paralajmëruar se Bosnja dhe Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e saj të pasluftës dhe se ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.

“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar po punon për të trajtuar çdo kërcënim ndaj stabilitetit në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, e cila ka mbështetur 26 vjet përparim të fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me këtë emërim, kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane.

“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e tyre në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndarjen e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon vendimtar”, citohet të ketë thënë ai.

Kurse, sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss ka thënë se emërimi Stuart është një demonstrim i qartë i përkushtimit të Britanisë për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon.

“Mezi pres të thellojmë lidhjet tona ekonomike dhe të sigurisë me Ballkanin Perëndimor dhe të punojmë së bashku për të penguar aktorët keqdashës. Sir Stuart do të luajë një rol kyç në atë punë”, është shprehur ajo.

Situata politike në Ballkanin Perëndimor u diskutua në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga dhe do të jetë në rendin e ditës në takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Liverpool, i cili u njoftua në fillim të kësaj jave.