Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AAK-së tregon për investimet kapitale që do t’i bëjë në Gjakovë

Kandidati për kryetar të Gjakovës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka thënë në #DebatPernime se ku do t’i investojë mjetet e grumbulluara nga të hyrat vetanake, nëse vazhdon që të jetë kryetar komune, pas balotazhit të 14 nëntorit.

Ai ka theksuar se me këto mjete do të përfundojnë infrastrukturën rrugore në Komunë.

Gjini ka shtuar se Komuna e Gjakovës deri tash i ka mbledhë 4.7 milionë euro të hyra vetanake e sipas tij këto mjete të gjitha shkojnë në investime kapitale.

“Vitin tjetër ne shkojmë në 10.5 milionë euro investime. Me këto mjete detyrimisht duhet ta përfundojmë infrastrukturën rrugore në komunën e Gjakovës. I kemi edhe 33 kilometra rrugë pa shtruar në fshatra dhe në qytet. 308 kilometra rrugë në fshatra dhe në qytet janë shtruar në mandat timin, që ta dini. Ndriçimin publik e përfundojmë komplet”, tha ai.

Kandidati i AAK-së ka folur edhe për investimet për ujë të pijshëm.

“Duhet të shkojnë diku 500 mijë deri në 700 mijë euro për ujë të pijes për Gërçinë, Bitesh dhe një lagje në Kralan që ka mbet. 44 fshatra janë lidhur me ujë në dy vitet që po i lëmë pas. Pjesa tjetër e mjeteve do të shkojë edhe për banim social”, theksoi ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutuan në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në #DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Gjakovë: Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Mimoza Kusari – Lila nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i AAK-së  për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 18 mijë e  973 vota apo 45.76 për qind. Kurse kandidatja e LVV-së Mimoza Kusari – Lila ka siguruar 15 mijë e 426 vota apo  37.20 për qind.

Debati po transmetohet në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.