Kandidati i AAK-së për deputet e fillon fushatën në një shkollë në Deçan

Kandidati për deputet i AAK-së, Hajdar Sutaj e ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, duke e vizituar shkollën në të cilën ai ka mësuar në Deçan.

Përmes një postimi në Facebook ai ka bërë të ditur se sot ka vizituar shkollën fillore “Kuvendi i Verrave të Llukës”.

Ai ka publikuar edhe fotografi duke mbajtur fjalim në hapësirat e klasave ku janë nxënësit dhe duke qëndruar pa maskë mbrojtëse për COVID-19.

“Arsimi është njëra ndër pikat kryesorë të zhvillimit dhe perspektives së çdo vendi! Kënaqësi e veçantë për mua të filloj ditën me vizitë në shkollën ku kam kaluar hapat e parë të mësimit! Ndihem i lumtur që dikur si asamblist komunal, propozova,  iniciova dhe lobova që kjo shkollë të pavarësohet, dhe të mbajë emrin e madhe e historik “KUVENDI I VERRAVE TË LLUKËS’”, ka shkruar Sutaj në Facebook.

Ai po ashtu ka përmendur edhe meritat e tij për objektin e ri të kësaj shkolle.

“Po ashtu jam i lumtur që tani ky institucion ka objektin e ri, shkollën e re, e cila është inicim i imi, dhe pastaj përkrahje nga kolegë e bashkëpunëtorë të mi! Jo rastësisht thuhet, arsimi është shtylla e shtetit, se çfarë kuadra e cilësi nxjerrim sot, do të jetë e ardhmja e vendit tonë nesër! Respekt gjithmonë për gjithë mësimdhënësit për punën e tyre dhe angazhimin e tyre fisnikë!”, ka shtuar në fund Sutaj.

KALLXO.com po ashtu kishte raportuar për kandidaten për deputete të LDK-së, Rrezarta Krasniqi e cila kishte përdorur përurimin e një shkolle në Vushtrri për të bërë fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zgjedhjet nacionale në vend do të mbahen të dielën më 14 shkurt.