Kandidatja për deputete e LDK-së përdor përurimin e një shkolle për fushatë

Kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi e ka përdorur përurimin e një shkolle në Vushtrri për të bërë fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka publikuar foto në shkollën “Migjeni” në fshatin Stanoc të Epërm, së bashku me kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, drejtoreshën e kësaj shkolle, Ardita Shala Bekteshi si dhe me drejtorin e Arsimit, Afrim Namani.

Në këtë aktivitet po ashtu kanë marrë pjesë edhe dy kandidatë të tjerë për deputetë, Hysni Gërguri dhe Adnan Lahu.

“Arsimi ka qenë gjithmonë preokupim i LDK-së dhe këtë e kemi dëshmuar çdoherë. Kënaqësi e veçantë që sot bashkë me kryetarin e Vushtrrisë Xhafer Tahiri, drejtorin e Arsimit Afrim Namani, drejtoreshën e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Migjeni” në Stanoc të Epërm, Ardita Shala Bekteshi, e cila në vazhdimësi ka treguar angazhim maksimal në arsimimin e brezave, si dhe kandidatët për deputetë, Hysni Gërgurin e Adnan Lahun, përuruam objektin e shkollor, nga i cili jam e bindur se do të dalin kuadro të shquara në të ardhmen”, ka shkruar ajo në Facebook.

Krasniqi po ashtu në postimin e saj me fotot e nxënësve të kësaj shkolle, ia ka bashkangjirut përshkrimin me sloganin e LDK-së si dhe numrin e saj si deputete.

.