Kancelari austriak premton ndihmë për Kosovën për anëtarësim në BE

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer ka premtuar se do ta ndihmoj Kosovën për t`u anëtarësuar në Bashkim Evropian.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Nehammer tha se do të punoj për  t’i bindur pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Është me rëndësi të them, se ka shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Është me rëndësi, që Austria të ndërtojë urë, të gjejë mënyrë për të bindur shtetet anëtare se është e drejtë dhe e rëndësishme të mirëpresin Kosovën në familjen evropiane”- tha ai.

Ndërsa kryeministri Kurti tha se Raportet mes dy vendeve, anëtarësimin i Kosovës në BE dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat që i kanë diskutuar në takim.

“Ne do të vazhdojmë rrugën e reformave për anëtarësim në BE në të cilin kemi aplikuar para 1 muaj, ne e vlerësojmë mbështetjen austriake për vendin tonë. Në bazë të vlerësimeve të pavarura, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe synimi ynë është që ne të jemi pjesë e BE-së pa përshpejtim, pa dyer anësore, por duke ndërtuar BE-në brenda vendit tonë”- tha Kurti.

Në konferencën e përbashkët Kurti tha se kancelarin austriak e ka njoftuar edhe për konstruktivitetin e palës kosovare në kuadër të dialogut me Serbinë.

“E informova kancelarin edhe për qasjen tonë konstruktive e kreative, dhe proaktiv si qëndrim në dialogun me Serbinë, dialogu që do të duhej të çonte rreth marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve tona të përqendruar në njohje të ndërsjellë”- tha ai.

“Kemi folur për agresionin rus ndaj Ukrainës, dhe i shpjegova kancelarit ndikimin e Rusisë në vendin tonë, Kosova i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, kemi strehuar 12 gazetarë, kemi ofruar që të strehojmë deri 5000 refugjatë”- shtoi Kurti.

Përveç kësaj, kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen e Austrisë në shtetndërtimin e Kosovës, duke vënë theksin edhe tek negociatat e Vjenës.

“Austria është mike e afërt dhe partnere e Kosovës, që na ka ndihmuar në betejën tonë për çlirim, bashkë me ushtarët austriak që kanë shërbyer në Kosovë për shumë vite me forcat e KFOR-it dhe ka dekada të bashkëpunimit të Austrisë me Kosovën, dhe jemi shumë mirënjohës për bashkëpunimin tuaj sidomos në arsim, demokraci dhe prosperitet për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin”- tha ai.

“Jemi të kënaqur që të qëndrojmë në këtë shteg të zgjerimit të marrëdhënieve tona në të gjitha aspektet më pak se dy dekada më parë ky qytet ka qenë dëshmitar i negociatave e kompromiseve të dhimbshme të cilat quan në pavarësinë e Kosovës”- shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për në Vjenë të Austrisë për vizitë zyrtare.

Kurti udhëton për në Vjenë, takohet me kancelarin Karl Nehammer