Kamioni zyrtar u kap duke bartur drunj, dyshohet se ishin të destinuara për familjen e një zyrtari

Një kamion që i përket Agjencisë Pyjore të Kosovës, është hasur gjatë ditës së djeshme duke transportuar një sasi drunore nga Parku i Blinajës, të cilat sipas dyshimeve të para, ka qenë të destinuara për një familje të zyrtarit të këtij dikasteri.

Drejtori i Inspekcionit të Pyjeve dhe Gjuetisë në Agjencinë e Pyjeve, Besim Zogu në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se ka qenë ai vet që e ka vërejtur se automjeti nuk gjendej aty dhe që më pas ka kërkuar llogari nga shoferi që po kryente transportin.

Zogu thotë se shoferi që po transportonte drunjtë nuk është deklaruar ende se kujt po ia dërgonte ato.

“Neve na u ka dasht kamioni se e kemi pasur një aksion në Suharekë me Policinë dhe kur kam pyet se ku është kamioni, e kam pa që s’është, e kam thirrë shoferin, më ka thanë që jam në Klinë. E kam urdhëru që ta kthejë kamionin së bashku me masën drunore në vendgjuetinë me rëndësinë e veçantë në Blinajë dhe kemi kërkuar nga inspektorët të shkojë në vendin e ngjarjes, të bëjnë konstatimin e dokumentacioneve që duhet plotësuar për transport të masës drunore. Kamioni zyrtar nuk guxon të përdorët për transportimin e masës drunore për qëllime private. Inspektorët kanë konstatuar se sasia drunore nuk ka qenë e damkosur më shumë 20 për qind. Shoferi nuk ka pasur leje nga drejtori i tij (fletudhëtimin) dhe është deklaruar drejtori se me lejen e tij nuk ka qenë aty”, tha ai.

Zogu bëri të ditur se kanë sekuestrimin e përkohshëm të sasisë drunore dhe disa dokumentacioneve. Ai ka deklaruar se të hënën do të përgatitet lënda për të vazhduar më pas për hetime.

“Kemi bërë sekuestrimin e përkohshëm të kësaj sasie së bashku me kamionin edhe bllokun e fletë përcjellës, fletudhëtimin e pa nënshkruar, dhe sot kemi kërkuar deklaratën nga shoferi i kamionit i cili më arsyetime personale nuk është paraqit për nënshkrimin e këtij procesverbali për dhënien e deklaratës. Për këtë rast, kam qenë i ftuar tek kabineti i ministrit, i cili ka kërkuar sqarime, pasi kishte informata se ky kamion ishte sekuestruar nga Policia. Ja kam sqaruar rastin dhe kam marrë përkrahjen e tyre për inicimin e procedurave”, u shpreh Zogu.