Qytetari tenton të bëjë shitje të tigrave, në Kosovë ndalohet me ligj keqtrajtimi dhe ekspozimi me kafshë të egra

Para disa ditëve një qytetar ka postuar disa këlysh (tigri) në një grup të dashamirësve të kafshëve ku ka njoftuar për shitje të tyre.

Qytetari në njoftim ka potencuar se çmimi për një këlysh të tillë është 9,500 euro, dhe se janë për tu mbajtur në kopshte private.

“Shiten këlyshët tigra. Nuk janë racë që i hanë njerëzit, janë që mbahen në kopshte private, që e kanë vendin e mirë. Çmimi 9,500 euro për copë”, ka shkruar qytetari.

 

 

Menaxheri i parkut të arinjve në Prishtinë, Afrim Mahmuti ka thënë për KALLXO.com se, personi në fjalë është kontaktuar nga një dashamirës i kafshëve kinse për t’i blerë, por që sipas personit që ka bërë shpalljen këlyshët gjenden në Kroaci dhe nëse ka interesim për t’i blerë, mund t’i sjellin në Gjilan.

Personi madje ka konfirmuar se shoku i tij në Kroaci këta këlysh i ka ilegal prandaj dëshiron t’i shes në vend tjetër.

Tutje ai shtoi  se është lajmëruar edhe Policia lidhur me këtë rast, por rasti nuk është proceduar tutje pasi Prokurori në detyrë nuk ka parë elemente të inicimit të rastit.

Lidhur me këtë raportim, edhe KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga Policia, por këta të fundit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Për këtë rast, Besim Zogaj, drejtor i Inspekcionit të Pyjeve dhe Gjuetisë në Agjencinë e Pyjeve ka thënë se kjo kafshë nuk ka habitat të vetin në Kosovë.

“Kafshët e këtij lloji nuk kanë habitat të vetin në Kosovë dhe nuk trajtohen më ligjin e gjuetisë”, ka thënë Zogaj.

Kurse nga Ministria e Mjedisit, Planinfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI)  për KALLXO.com është thënë se Kosova ende nuk është nënshkruese e Konventës mbi Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të rrezikuara të Florës dhe Faunës se Egër (CITES) dhe qarkullimi ndërkufitar i llojeve të egra me dokumentet e Kosovës është i pamundur të bëhet importi apo eksporti i llojeve të egra të shtazëve të mbrojtura.

Sipas MMPHI, në rastet e këtilla duhet respektuar legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e natyrës.

Futja e llojeve të egra të mbrojtura, mbajtja, kultivimi dhe tregtia me lloje të egra të mbrojtura dhe mbajatja në internim në kushte jo të volitshme dhe pa përkujdesje të duhur pa lejen e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës Nr. 03/L-233 dhe legjislacionin secondar për mbrojtjen e natyrës.

Tutje nga ministria potencohet se personat të cilët tentojnë të bëjnë këtë lloj tregtie mund të marrin gjobë nga 1 mijë deri 10 mijë euro.

Elza Ramadani nga Fondacioni për të drejtat e kafshëve ka thënë se kafshët e egra nuk mund të robërohen nga natyra.

“Kafshët egzotike dhe të egra nuk mund të robërohen nga natyra dhe as të futen në Kosovë pa leje nga Ministria e Mjedisit”, ka thënë Ramadani.

Sipas saj, sipas udhëzimit administrativ përcaktohen rregullat për kafshët që mbahen në robëri, dhe çdo shitje ilegale e tyre është e ndaluar.

“Në një udhëzim administrativ përcaktohen rregullat e kafshëve që mbahen në robëri, por që duhet të vërtetohet nga shitësi i kafshës së egër që ajo kafshë e egër apo egzotike, ka lindur në robëri, pra në kopshte zoologjike. Çdo shitje ilegale e këtyre kafshëve është e ndaluar”, ka thënë Ramadani.

Rregulloret për mbajtjen e kafshëve në Kosovë janë përcaktuar qartë në një udhëzim administrativ të vitit 2012. Kafshët e mbrojtura të mbajtura në robëri kërkojnë kujdes të vazhdueshëm për të gjitha nevojat e tyre biologjike, si dhe hapësirë ​​të mjaftueshme, ndriçim, ushqim të përshtatshëm,  stërvitje dhe pastrim të hapësirave në të cilat jetojnë, të përcaktuara në bazë të njohurive shkencore për speciet në fjalë.

Nëse pronarët nuk mund t’i plotësojnë këto kushte, sipas udhëzimit administrativ, kjo konsiderohet si kafshë të përfshira në “torturë”.

Më parë, keqtrajtimi i kafshëve ishte një vepër civile e dënueshme me gjobë nga 100 deri në 5000 euro.

Keqtrajtimi i arinjve dhe mbajtja e tyre si kafshë shtëpiake ka qenë një problem serioz në Kosovë. Në vitin 2013, Ministria e Mjedisit vendosi t’i jap fund fenomenit të mbajtjes së “arinjve të restoranteve” në të gjithë vendin. Sipas OJQ Austriake Four Paws International, pronarët e restoranteve do të blinin arinjtë nga tregtarët e kafshëve për t’u përdorur si një tërheqje turistike, duke i mbyllur ato në kafaze jashtë restoranteve si një mënyrë për të tërhequr klientelë.

Qeveria ishte në gjendje të shpëtojë 20 arinj përreth Kosovës me ndihmën e trupave të KFOR-it. Sidoqoftë, pothuajse të gjitha arinjtë e shpëtuar vuanin nga problemet afatgjata të shëndetit fizik dhe mendor, si rezultat i mbajtjes në robëri, dhe nuk mund të liheshin në egërsi për shkak të zvetënimit të tyre.

Si përgjigje ndaj këtij  problemi u krijua Bear Sanctuary Prishtina, një park kombëtar 16 hektarë pak jashtë kryeqytetit (fshati Mramor) që u hap në pranverë 2014 dhe u drejtua nga Four Paws International.