Mbillen 452 drunj dekorativ në Kampusin Universitar

Drejtoria e Parqeve në Prishtinë në bashkëpunim me bankën ProCredit kanë mbjellë mbi 400 drunj në Kampusin Universitar.

Në këtë ngjarje ishin pjesëmarrës nënkryetari i Komunës, Muhedin Nushi, Fatime Hajdari nga Drejtoria e Parqeve dhe Visar Paqarada, përfaqësues i Bankës ProCredit.

Mbjellja e drunjëve ka filluar të bëhet nga ndërmarrja publike lokale ‘Hortikultura’.

Muhedin Nushi, nënkryetar i Komunës tha se këta drunjë janë donacion i bankës.

“Komuna e Prishtinës ka pranuar donacion nga Banka ProCredit me qëllim që të gjelbërojë sa më tepër kryeqytetin tonë me 452 drunj dekorativ që do vendosen në Kampusin Universitar”,  ka thënë Nushi.

Ndërsa, Visar Paqarda, anëtar i bordit menaxhues të ProCreditBank tha se kanë synim që edhe më tutje të merren me projekte të tilla.

“Mbjellja e këtyre drunjëve është në proces, besoj që deri në fund të këtij muaji do i sjellim edhe ulëset dhe ne synojmë të vazhdojmë me projekte të tilla edhe më tutje”, tha ai.

Komuna e Prishtinës ka pasur nisma të tilla edhe më herët.

Disa drunjë të tillë dekorativ, siç shihet edhe në fotot më poshtë, që janë mbjellë përreth Fakultetit të Edukimit, janë tharë.

Po ashtu është raportuar edhe për tharjen e drujve të bartur nga zona ku po kryhen punime për Parkingun Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik.

Kallxo.com ka raportuar më herët se shumë prej fidanëve dhe dekorimeve nëpër qytet dëmtohen nga makinat e qytetarët.