Shaip Kamberi - Foto: REL

Kamberi: Me rezultatet që kemi tani, kemi rritur të sigurojmë edhe një mandat

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi ka deklaruar se me rezultatet që disponon tani, koalicioni i tij ka arritur të sigurojë edhe një mandat në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi me listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, thotë se ka fituar rreth 11.500 vota, e të cilat sipas tij janë të mjaftueshme për mandatin e ri.

“Me rezultatet që disponojmë tani, i kemi diku 11.500 vota të koalicionit tonë. 6 mijë vota i kemi në Bujanoc dhe 5 mijë vota në Preshevë. Faktikisht koalicioni ynë ka arritur të sigurojë një mandat, pasi me nivelin e daljes që e kemi në tërë territorin e Serbisë, që do të duhej të ishin të mjaftueshme mbi 10 mijë vota, por në rastin e listave të pakicave kjo tani shumëzohet me plus 35 përqind, që do të thotë se ne i kemi mbi 13 mijë vota e që janë të mjaftueshme për një mandat”, ka theksuar Kamberi në një deklaratë për RTK-në.

Kamberi më tej është deklaruar edhe në lidhje me garën zgjedhore, ku shqiptarët janë paraqitur të ndarë në dy lista zgjedhore.

“Gara ka qenë e vështirë për faktin se ne edhe vitin e kaluar kishim zgjedhje, e të cilat u desht të përsëriten 5 herë në një vendvotim sepse kemi të bëjmë me një shtet që nuk pranon që pakicave t’u jape vendin që e meritojnë. Në anën tjetër kishim një garë të brendshme, një konkurrencë jo lojale, me sharje me shpifje ndaj nesh. Por bashkë me partnerët e koalicionit ne ishim të orientuar që ta bindim votuesin shqiptarë që të dalë në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesin e vet në parlament”- ka shtuar Kamberi.

Sot në Serbi janë mbajtur zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje shqiptarët janë duke garuar me dy lista.

Nga Kosova janë nisur për të votuar atje edhe serbët lokalë, por edhe shqiptarët që janë qytetarë të Luginës së Preshevës, por që jetojnë dhe punojnë në Gjilan.