Kadri Veseli premton ndërtimin e 300 çerdheve

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Kadri Veseli, ka premtuar hapjen e 300 çerdheve në tërë vendin nëse fitojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kështu tha Veseli në një tubim të PDK-së me mësimdhënësit duke shpalosur platformën për ta. Ai i konsideroi mësimdhënësit si “partnerët më të çmuar në procesin e zhvillimit”.

Veseli tha së në platformën e tij do të përfshihet sistemi i edukimit me të filluar nga mosha 0 vjeçare dhe jo nga mosha 6 apo 7 vjeç sa është tani.

“Unë jam ithtar i një sistemi të edukimit i cili fillon nga mosha 0 vjeçare dhe jo nga mosha 6-7 sa e fillojmë ne për këtë kam kërkuar një studim sa kam qenë si kryetar i Kuvendit, për këtë falënderoj UNICEF-in që ka bërë një projekt për të parë se si mund të implementojmë futjen në program të gjithë fëmijëve që lindin në Kosovë nga mosha 0 deri në 6 të jenë të inkuadrim në sistemin e çerdheve”, u shpreh kandidati për kryeministër i PDK-së.

”Kjo është arsyeja pse në projektin tim programor të PDK-së e kemi edhe ndërtimin e çerdheve anekënd Republikës së Kosovës dhe do t’i realizojmë, në këtë mandat do t’i ndërtojmë të paktën 300 çerdhe në Kosovë”, tha Veseli.

Ai u tha mësimdhënësve se u takojnë pensionet kontributdhënëse edhe ata që kanë nën 15 vjet përvojë pune.

”Besoj në 100 ditshin e parë këto pensione do t’ju takojnë secilit. Nëse arrijmë ta fuqizojmë sistemin tonë arsimor, duke e bërë kompatibil me kërkesat e ekonomisë së tregut, do të kemi shumë sukses. Sistemi arsimor nuk ka pasur partnerë tjerë pos PDK-së”, u shpreh Veseli.

Ai nuk la pa përmendur edhe luftën kundër korrupsionit, pasi që sipas tij kjo do të zhvillojë një ekonomi të dijes, inovatore dhe prodhuese.

Ndërkaq, Enver Hoxhaj nga PDK u premtoi të pranishmeve së prioritetet e Veselit do të jenë rritja e numrit të mësimdhënësve dhe zvogëlimi i numrit të nxënësve në klasa.

“Ta kemi mësimin tërëditor qe fillon nga mëngjesi dhe përfundon pasdite, rritja e hapësirës shkollore, rritja e pagave do të këtë kuptim atëherë kur ne e rrisim hapësirën kohore se sa një nxënës do të rrijë në shkollë, kjo do të ndryshonte jo vetëm ngritjen e arsimit por edhe vetë familjen tonë pasi që shumë motra dhe nëna tona  nuk duhet të ndërlidhen me aktivitetin ditor të fëmijës nëse ai do të qëndrojë më shumë në shkollë”, tha ai.

“Së dyti, kurrikula e re është në zbatim, por ne duam që të ndodh një digjitalizim i përmbajtjes arsimore i asaj që ofrohet shkollat e Kosovës, por edhe të orareve dhe të ditarëve që përdorën nga mësimdhënësve”, shtoi Hoxhaj.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit fillon nga nesër dhe do të zgjatë 10 ditë.