Foto: KVRL/ Gjakovë

Java e Rinisë në Gjakovë, thirrje për punësimin e të rinjve që të mos largohen nga vendi

Sot në Kosovë ka nisur Java e Rinisë,  e cila do të vazhdojë aktivitetet deri me 12 gusht përkatësisht deri në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Të rinjtë e Gjakovës filluan aktivitetin e quajtur “Pema e Rinisë” në parkun e qytetit, me qëllim fuqizimin e tyre dhe aspiratat drejt së ardhmës në ndërtimin e jetës në Kosovë.

Përmes pankartave u bë thirrje për punësimin e të rinjve, në mënyrë që mos të largohen nga Kosova.

Disa nga shkrimet janë “Të punon qeveria e të mos largohet rinia”, “Rini plot por punë jo”, e të tjera.

Aktiviteti u organizuan nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL) me organizatën anëtare “Activism Roots’, dhe Komunën e Gjakovës (Drejtorinë për Rini Kulturë dhe Sport).

Kryetari i KVRL-së, Altin Hafizjaha thotë për KALLXO.com që është e rëndësishme të aktivizojnë  dhe ndimojnë rininë në mënyrë që ajo të jetë hallkë e zhvillimit të vendit.

“Shfrytëzuam këtë aktivitet dhe morëm mesazhe të shumta ku qytetarët dhanë  komente, kritika, këshilla si  dhe në të njëjtën kohë u mburrën për rininë  që e ka shteti jonë, për potencialin e tyre. Ata treguan që shteti, institucionet dhe e gjithë shoqëria duhet të stimulojë  rininë të qëndrojë në Kosovë dhe të kontribuojë”- tha ai.

Aktivitet e parapara gjatë ditëve në vazhdim janë edhe “Kartolinat e Rinisë”, “Të Rinjtë dhe Vullnetarizmi”, “Youth Night”.

Foto: KVRL/ Gjakovë
Foto: KVRL/ Gjakovë