
Trepça - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Januzi: Minatorët e “Trepçës” pritet të ndëshkohen nga menaxhmenti për ditët e grevës
Minatorët e “Trepçës”, të cilët kishin hyrë në grevë nga 10 gushti, në shenjë proteste për mosrealizimin e pagave të korrikut, pritet të ndëshkohen nga menaxhmenti i kësaj kompanie për ditët e mbajtura të grevës.
Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi.
Januzi tha se sot ka komunikuar zyrtarisht me drejtorin e kësaj miniere, Fatos Begu, i cili e kishte njoftuar se menaxhmenti kishte vendosur t’i ndëshkojë duke ua hequr mëditjet për ditët e mbajtura të grevës.
“Jemi kërcënu ose paralajmëru për heqjen e mëditjeve” – ka thënë Januzi.
Minatorët e kishin ndërprerë grevën porsa atyre u kanë dalë pagat për muajin korrik.
KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga menaxhmenti i “Trepçës”, konkretisht u.d. kryeshefi ekzekutiv, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i minierës, Fatos Begu, por asnjëri nga ta nuk ishte i qasshëm të deklarohej lidhur me këtë.