Jabllanoviq: Problemi i serbëve në veri nuk janë kryetarët e komunave - VIDEO

Janë bërë pothuajse një muaj që nga nisja e tensioneve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës ndërsa Kryetari i Partisë së Serbëve në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq nuk pret që kjo situatë të mbarojë së shpejti.

Në një intervistë për KALLXO.com, Jabllanoviq thotë se situata vetëm po komplikohet ndërsa mund të dalë sërish nga kontrolli.

“Mendoj që për këto 25 ditë, situata është vetëm më e komplikuar, ka pasur ditë të qeta, mirëpo mendoj se fundi kemi komplikim të situatës dhe kemi lëvizje dhe kemi hapa të marrë që vetëm po e komplikojnë situatën”- ka thënë Jabllanoviq, derisa shton se protestat në veri fillimisht nisën për shkak të siç e quan ai, ‘uzurpimin e objekteve komunale’.

 

Këto objekte komunale sipas Jabllanoviqit u uzurpuan nga pushteti qendror ndërsa situata po komplikohet pas ngjarjeve të fundit që po shënohen në këto zona.

Ditëve të fundit, Policia e Kosovës por edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla njoftuan për arrestimet e personave të cilët sulmuan, gazetarët por edhe demoluan veturat e tyre.

Këto ngjarje sipas Jabllanoviqit po tensionojnë situatën edhe më shumë.

“Me kalimin e kohës situata po u u komplikohet për shkak të numrit të madh të të arrestuarve nga ana e serbëve, për me shtu ma tepër kemi edhe tre policë të arrestuar të Kosovës, dhe për më tepër kemi edhe mbyllje të kalimeve kufitare. Dhe nuk ka dilemë se kush po rrinë mbrapa protestave, rrinë Lista Serbe dhe ato këto protesta i kanë bërë si përgjigje për uzurpimin e ndërtesave komunale nga organet e pushtetit të Kosovës”- shton tutje ai.

Deri sa fliste për protestat, u kërkua nga ai që të tregoj edhe se kush po qëndron mbrapa tyre, deri sa Jabllanoviq thotë se përveç qytetarëve ka edhe grupe të caktuara që shfrytëzojnë situata të tilla për të përfituar.

“Qendra e këtyre protestave janë punëtorët e mëparshëm që nuk po mund të kthehen në vendet e tyre të punës në ndërtesat e komunave, por ka edhe grupe të tjera të caktuara, që përmes këtyre protestave dëshirojnë të arrijnë qëllimet e tyre politike dhe qëllime të tjera. Mendoj se mediat duhet më shumë më tepër të merren me shkaktarin e protestave se sa me vetë protestat dhe pajtohem me ju, protestat kanë qenë me rrezik të madh si për qytetarët, edhe për Policinë e Kosovës e për KFOR”- tregon Jabllanoviq deri sa flet edhe për pjesëmarrjen e tij në këto protesta.

Jabllanoviq jeton në Komunën e Leposaviqit, deri sa shpjegon se disa herë ka dalë edhe të solidarizohet me vendasit e tij.

“Unë kam dalë në komunën time nga e kam edhe prejardhjen, kam dalë katër a pesë herë vetëm për arsye me tregu solidaritetin me bashkëqytetarët e mi të cilët kanë dëshiruar që të hynë në vendin e tyre të punës dhe nuk e kanë parë të arsyeshme pse komuna e Leposaviqit është e rrethuar me tel dhe nuk mund të ju lejohet punëtorëve të shkojnë në vendin e tyre të punës”- shpjegon ai.

Sipas tij serbët lokal në Leposaviq nuk e kanë problem kryetarin që i përket nacionalitetit shqiptar, por legjitimitetit të tij për të udhëhequr pasi që ka marrë vetëm 100 vota.

Ai thotë se edhe më parë, qytetarët në atë komunë por edhe në komunat e tjera nuk kanë marrë shërbime siç duhet, e për këtë çështje ai vuri pikëpyetje se si mund ta bëj kryetari aktual kur nuk është i zgjedhuri i qytetarëve serb.

“As më herët nuk kanë dhënë shërbime kualitative për qytetarët, por tani nuk janë duke dhënë kurrfarë shërbime”- shton ai.

Përveç zyrtarëve që janë punësuar të punojnë sipas sistemit të Kosovës, Jabllanoviq thotë se në Leposaviq, ka pasur zyrtarë që kanë punuar edhe sipas sistemit të Serbisë.

“Përzgjedhja e kryetarëve shqiptarë, ka qenë legale mirëpo ata nuk kanë legjitimitet politik për të marrë vendime të mëdha, mirëpo po shohim, uzurpimi i ndërtesave nga kryetarët shqiptarë me ndihmën e policisë dhe KFOR-it është një vendim shumë i madh politik edhe ka shkaktu këtë që është shkaktuar. Ne kemi menduar që situatat e tensionuara, kanë mbetur larg mbrapa nesh”- thotë ai.

Që nga 26 maji, pra muajin e kaluar, në tri komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, më saktësisht Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, dhjetëra qytetarë kanë protestuar në mënyra të ndryshme pasi sipas tyre, kryetarët e zgjedhur në prill të këtij viti kanë uzurpuar me forcë hapësirat e objektit të komunës.

Në po atë ditë, pati edhe tensione, gjuajtje me shok bomba, e tentim për të shpërndarë turmën, pasi protestuesit nuk donin të lejonin hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër këto komuna.

Dy ditë pas 26 majit, situata u shënua e qetë, për të pasur sërish incidente një ditë më pas.

Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së datës 29 maj, komuna e Leposaviqit ishte blinduar nga dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it amerikan që ishin vendosur në oborr.

Madje për të përforcuar perimetrin e sigurisë, KFOR-i kishte përdorur edhe tela me xhemba e pengesa të tjera.

Informacionet e pranuara se mund të kishte tensione të mëdha po atë ditë, bëri që KFOR të marrë komandën për të drejtuar sigurinë në atë zonë por edhe në komunat e tjera, Zveçan e Zubin Potok.

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi kishte shkuar po atë ditë pak orë më herët se protestuesit në komunë. Në bazë të informacioneve dhe deklaratave të pjesëtarëve të Listës Serbe, Hetemi vazhdon tash e 25 ditë të qëndroj brenda hapësirave të komunës.

Bashkë me të janë edhe ekipet e policisë speciale por edhe mbrojtja e afërt.

Qytetarët serb me anë të udhëheqësve të protestave, në Leposaviq, kanë pasur tri kërkesa.

Ish- kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq disa herë gjatë bisedave me pjesëtarë të KFOR-it kishte thënë se kërkesat e qytetarëve janë që të largohet kryetari nga ndërtesa, policia dhe rrethojat që kanë bllokuar oborrin e komunës.

Në forma të ndryshme u protestua për këto kërkesa.

Ditët e para të fillimit të protestave u shënuan me incidente të shumta.

Për këto 25 ditë, mbi 25 raste janë raportuar në polici për sulm ndaj gazetarëve të mediave të ndryshme që punojnë në Kosovë.

Nga këto raste pati edhe dëmtime e djegie të veturave.

Të premten e javës së kaluar u shënua një nga sulmet më të rënda gjatë këtyre ditëve të protestave ndaj gazetarëve.

Mbi 10 gazetarë e kameraman u sulmuan me gurë, e fizikisht nga persona të maskuar që ishin parë në protestë në Leposaviq.

Disa nga gazetarët e kameramanët patën lëndime ndërsa kanë marrë edhe tretmane mjekësore.

Situata u qetësua ditëve në vijim ndërsa vazhdon të jetë e qetë edhe sot.

Tensionet në veri u dënuan nga ndërkombëtarët. Hyrja me dhunë e forcë në objektet e komunave me shumicë serbe sipas ndërkombëtarëve nuk do duhej të ndodhte.

Disa ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi edhe për tre policë kufitarë për të cilët thanë se janë kidnapuar në territorin e Kosovës nga forcat speciale policore të Serbisë.

Deri më sot ende nuk dihet për gjendjen shëndetësore të tyre ndërsa u raportua se të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Kryeministri Kurti gjatë ditës së nesërme pritet që të udhëtoj në Bruksel. Atje ai tha se do të kërkoj edhe lirimin e policëve serb të cilët janë kidnapuar në territorin e Serbisë.

Në anën tjetër mediat serbe gjatë ditës raportuan se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do të shkoj në Bruksel ndërsa si kusht vendosi lirimin e serbë të arrestuar nën dyshimet për sulme ndaj gazetarëve, pjesëtarëve të kforit dhe zyrës së KKZ në Mitrovicë Veriore.