Wuhan, Kinë- Foto: CNN

Itali, edhe sot numër i lartë i të vdekurve dhe i të infektuarve me COVID-19

Autoritetet lokale të Lombardisë, rajoni më i prekur nga coronavirusi në Itali, sot shpresonte vazhdimin e trendit të rritjes së numrit të të shëruarve dhe rënie të numrit të viktimave nga pandemia.

Mirëpo, pas dy ditëve të mira, 24 orët e fundit përsëri rezultuan të rënda për Italinë, pasi që pati numër të lartë të viktimave dhe të rasteve të reja me coronavirus.

Italia, vendi më i goditur nga pandemia COVID-19,  të shtunën ka tejkaluar shifrën mbi 10,000 viktima.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 3,815 raste të reja me coronavirus, që është 200 raste më shumë se dje.

Ndërsa Mbrojtja Civile Italiane raportoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur 756 persona , duke  ngritur numrin e përgjithshëm të viktimave në 10,779.

Shifra këto  tronditëse për Italinë, që duket se e ka të vështirë të dalë nga kriza shëndetësore, që ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë.

Shqetësuese është rënia e numrit të të shëruarve, ku në 24 orët e fundit janë shëruar 646 persona, që është shumë më pak se dje kur u raportuan 1,434 të shëruar.

Kreu u mbrojtjes Civile Borelli ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën e ofruar duke e dërguar një ekip prej 30 mjekësh, duke marrë parasysh që edhe Shqipëria po përballet me një situatë të vështirë në luftën me pandeminë.

Borelli gjithashtu falënderoi edhe Gjermaninë që ka pranuar një  numër pacientësh për t’i trajtuar që kishin nevojë për trajtim intenziv.

Në terapi intenzive aktualisht janë 3,926 persona.

Numri total i të prekurve nga COVID-19 në Itali, përfshirë viktimat dhe të shëruarit dhe ata që janë në trajtim intenziv apo shtëpiak, është 97,689 persona.

Viktima e parë nga pandemia në Itali ishte shfaqur më 21 shkurt, apo 38 ditë më parë, ndërsa që nga data 15 mars numri i viktimave në Itali ka qenë vazhdimisht në rritje.

Për shkak të kësaj situate, Qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte ka aprovuar një vendim  që sanksionon me gjobë nga 400 deri në 3 mijë euro ata që nuk respektojnë rregullat e karantinës.

Autoritetet italiane kanë njoftuar se viktimat për të cilat po raportohet, shumica  janë persona edhe me  sëmundje kronike,  apo mosha shumë e shtyrë e tyre, dhe virusi COVID-19 nuk është shkaktar i vetëm i vdekjes, por si pasojë e infeksionit përkeqësohet gjendja e tyre me çka rezulton me vdekjen e pacientit.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka marrë vendim që të mbeten në fuqi deri më 6 prill vendimet që ishin marrë në muajin mars për parandalimin e pandemisë CoVid-19.

Që nga data 13 mars kur u shfaq rasti i parë me COVID-19 në Kosovë e deri më sot janë regjistruar 94 të infektuar, ndërsa 1 pacient ka vdekur nga ky virus.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së coronavirusit të ri, Qeveria në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.