Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Vendimet e Qeverisë për pandeminë e Covid-19 mbesin në fuqi deri më 6 prill

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka marrë vendim që të mbeten në fuqi deri më 6 prill vendimet që ishin marrë në muajin mars për parandalimin e pandemisë CoVid-19.

Njëra ndër to është vendimi i ndërprerjes së procesit edukativo-arsimor në instuticionet publike dhe private në të gjitha nivelet.

Po ashtu, deri më 6 prill do të mbetet në fuqi edhe vendimi për vetëkarantinim për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me nivel të lartë.

Deri më 6 prill, mbetet në fuqi vendimi edhe për karantinim të Klinës, Vitisë e Malishevës si dhe pezullimi i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në aeroportin e Prishtinës.

Sipas një njoftimi për media, vazhdimi i masave është bërë me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Tutje është bërë e ditur se ministri i Shëndetësisë, jo më vonë se 3 prill 2020, vendimet e mësipërme i rishqyrton, në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertë dhe ministritë tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe i jep rekomandim Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me vazhdimin ose jo të vendimeve përkatëse.

Këtu mund t’i gjeni vendimet e Qeverisë.

Aktualisht në Kosovë të prekur me coronavirus janë 91 qytetarë.