Sipërmarrësit e varrimit në një varrezë në Bergamo, Itali, të hënën. Foto: Claudio Furlan / LaPresse, përmes Associated Press

Numër rekord viktimash nga CoVid-19 në Itali brenda ditës

Kur kanë kaluar 35 ditë që kur është shfaqur viktima e parë nga pandemia Coronavirusit në Itali, deri më sot janë raportuar 9,134 viktima.

Kjo e bën Italinë shtetin e parë në botë për nga numri i viktimave si pasojë e pandemisë COVID-19.

Mirëpo në 24 orët e fundit është shfaqur një numër shumë i lartë i viktimave, gjithsej 969 viktima, kështu duke shënuar ditën më të rëndë, që kur u shfaq pandemia në këtë shtet.

Frika më e madhe e autoriteteve Italiane është se nuk dihet se kur do të jetë “kulmi” i pandemisë.

“Nuk e kemi arritur kulmin, dhe as nuk e kemi kaluar”, kanë thënë nga Mbrojtja Civile.

Për një moment Italinë e kaploi frikë e madhe, kur figura kryesore në luftën kundër Coronavirusit kreu Mbrojtjes Civile Borelli shfaqi simptoma të infeksionit, por pas dy ditë qëndrimi në shtëpi testet e tij rezultuan negative.

Mbrojtja Civile në nivelin kombëtar merret me parashikimin, parandalimin, menaxhimin dhe tejkalimin e fatkeqësive njerëzore dhe natyrore, të situatave emergjente.

Ndërkohë ka pasur rënie të numrit të të shëruarve, me gjithsej 589 persona të shëruar, duke arritur totalin në 10 950.persona të shëruar.

Ndërkohë mbetet shqetësuese numri i lartë i rasteve të reja që po vazhdojnë të shfaqen, ku rnë 24 orët e fundit janë raportuar 4401 raste të reja me COVID-19.

Italia është vendi i dytë në botë pas SHBA dhe tashmë ka tejkaluar Kinën për sa i përket numrittë përgjithshëm të të infektuarve me Coronavirus.

Numri total i të prekurve nga Covid-19 në Itali, përfshirë viktimat dhe të shëruarit dhe ata që janë në trajtim intenziv apo shtëpiak , është 86.498 persona.

Për shkak të kësaj situate, Qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte aprovoi dhe një vendim tjetër që sanksionon me gjobë nga 400 deri në 3 mijë euro ata që nuk respektojnë rregullat e karantinës.

Autoritetet italiane kanë njoftuar se numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i madh, për arsye se ka raste dhe persona të cilët nuk shfaqin aspak simptoma të coronavirusit, dhe nuk paraqiten për analiza apo trajtim në kohën e duhur.

Mungesa e madhe e maskave medicinale dhe e respiratorëve për trajtim të pacientëve të infektuar me COVID-19 është sfidë e madhe për Italinë.

Italia po provon të importojë produkte medicinale nga shtete të tjera, por për shkak se pandemia ka përfshirë të gjithë botën shtetet tjera po hezitojnë të eksportojnë.

Autoritetet italiane kanë njoftuar se viktimat për të cilat po raportohet, shumica  janë persona edhe me  sëmundje kronike,  apo mosha shumë e shtyrë e tyre, dhe virusi COVID-19 nuk është shkaktar i vetëm i vdekjes, por si pasojë e infeksionit përkeqësohet gjendja e tyre me çka rezulton me vdekjen e pacientit.

Që nga data 15 mars në Itali numri i të vdekurve dhe i rasteve të reja të infektuara ka qenë vazhdimisht në rritje.

Numri i të prekurve me virusin COVID-19 tashmë ka kaluar gjysmë milioni njerëz të konfirmuar.