Ish-zyrtaret e PTK-së të akuzuara për vjedhje dalin para gjykatës

Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti-Abazi, ish-zyrtare të Postës dhe Telekomit të Kosovës po akuzohen për përvetësimin e mbi 76 mijë eurove

Sipas prokurorisë, Fllanza Shabi në cilësinë e zyrtares së shitjes në PTK në zyrën postare nr.10 dhe Fatime Hoti-Abazi zyrtare e teleshitjes në periudhën 2009/2012  së bashku kishin përvetësuar shumën e parave e cila u ishte besuar sipas detyrës në lartësi prej 76,151.00 euro.

Në  gjykimin e tyre sot u dëgjuan   dëshmitaret   Besa Peci, Laura Seferi dhe Venera Humolli

Gjithnjë sipas prokurorisë, mungesën e parave të përvetësuara e ka zbuluar auditori i brendshëm I Postës dhe Komsioni për verifikimin e kërkesave të hapura për shërbimet e Western Unionit.

Andaj sot në gjykatë dhanë dëshminë edhe 3 zyrtare të tjera të PTK-së, kolege të të akuzuarave.

Dëshmitarja Besa Peci, e cila kishte punuar në PTK rreth periudhës 2009-2012 foli lidhur me raportet financiare në këtë ndërmarrje.

‘’Roli im në këtë pjesë ka qenë tërheqja e mjeteve, punëtoret e sportelit i kanë tërheq mjetet në bazë të dëftesës për dorëzim dhe ngarkim. Ka qenë një raport-ditar shabllon nga PTK-ja për tërheqjen dhe ngarkimin e mjeteve, unë këtë raport e kam dorëzuar te kontabilistët…Nuk kam vërejtur asnjë gabim”

E pyetur se kush kanë qenë zyrtaret  që janë ngarkuar me mjete dëshmitarja Peci tha ‘ishin Fllënza, Fatimja dhe  Laura’.

Ndërsa dëshmitarja Laura Seferi foli lidhur me raportin e auditimit për të cilin prokuroria thotë se zbuloi paratë e munguara.

“Për herë të parë lidhur me këtë raport jam informuar nga hetuesit  dhe nuk e di si është e mundur të auditohesh dhe mos ta dish qe ke qenë  nën auditim’’, tha ajo.

Ajo tha se paratë në mungesë do të duhet të ishin vërejtur në procedurën e barazimit.

‘’Është shumë e çuditshme sepse ne çdo ditë jemi barazu nëse t’ka dal minusi është dashtë mi qit paret prej xhepit, edhe nëse kemi dalë plus është dasht me lajmëru”, tha ajo.

Dëshmitarja Venera Humolli,  për gjykatën tha  se ishte  punëtore e sportelit, ishte  marrë me shërbimet postare dhe pagesat.

Ajo tha se mungesa e parave ishte dashur të vërehet më herët.

‘’Sa i përket zyrës postare çdoherë kemi qenë në rregull, por problemi qëndron te financat këtë e them pse nuk kanë reaguar në fund të javës, fund të muajit dhe fund të vitit’’, tha ajo.

Seanca e rradhes u caktua për datën,  12 nëntor ora 13:00

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!