Drejtori i ansamblit “Shota” akuzohet për punësime të jashtëligjshme

Shefqet Gjoca, Drejtor i Ansamblit “Shota” është vënë në bankën e të akuzuarve në lidhje me disa punësime në këtë ansambël.

I akuzuar në këtë rast është edhe Nazmi Demaj, që ka qenë U.D i Drejtorit të Ansamblit.

Sipas aktakuzës, këta dy kanë mundësuar punësimin e Xhemali Berishës, Luljeta Lushtakut dhe Ismet Bogujevcit pa shpallur konkurs publik.

Sot, në Gjykatën e Prishtinës, të dy të akuzuarit kundërshtuan aktakuzën duke kërkuar hedhjen e saj.

Shefqet Gjocaj foli lidhur me punën e tij në ansambël që sipas tij e ka bërë krenar.

“Jam krenar për çdo gjë që kam bërë lidhur me Ansamblin “shota” këtë e dëshmojnë edhe çmimet që fitojmë çdo vit, andaj jepini fund kësaj sage”, tha ai.

Ndërsa i akuzuari Nazmi Demaj foli lidhur me kontratat e punës të nënshkruara nga ai. Ai shtoi se “të gjithë drejtorët si para luftës edhe pas luftës në mënyrë të njëjtë  kanë bërë kontrata me koreografë të ndryshëm”.

Prokurori i rastit Arjan Gashi deklaroi se aktakuza duhet të mbetet në fuqi.

Gjykatësja Shpresa Hasaj Hysaj refuzoi kërkesat e të akuzuarve për hedhjen e aktakuzës dhe i njoftoi të akuzuarit se vendimin mund ta atakojnë me ankesë në Gjykatën e Apelit.