llustrim

Ish-prokurori Blakaj pretendon se ka audio-incizime për rastin e veteranëve

Ish-prokurori i cili kishte hetuar listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Elez Blakaj, ka lënë të nënkuptohet se për rastin e veteranëve ka audio-incizime si prova materiale të keqpërdorimeve.

Blakaj ka thënë se si është e mundur që asnjë audio-incizim nuk ka rrjedhur në publik.

“Si është e mundur që asnjë provë materiale e këtij rasti, e në veçanti asnjë audio-inçizim nuk rrjedhi në publik, në ndonjë portal apo gazetë, ashtu siç bënin në fillim të këtij procesi me fabrikimin dhe publikimin e listave, emrave e të dhënave personale, duke nxitur urrejtje të skajshme në adresën time për hetimin e këtij rastit, me qëllim që përgjegjësit të ‘amnestohen’ dhe fshihën nga kjo përgjegjësi!”, ka ahkruar ai në Facebook.

Sipas Blakajt, publiku duhet të dijë, në veçanti veteranët e UÇK-së, se Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit UÇK-së jo vetëm që nuk e ka përfunduar punën por edhe për atë pjesë të punës të deklaruar si të përfunduar është tallur me procesin.

Ish-prokurori ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook pas lirimit nga akuza të 12 të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve.

Elezaj ka shkruar se ‘ashtu siç pritej edhe ndodhi’, duke thënë se në këtë proces gjyqësor publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% të provave materiale.

Gjykata e Prishtinës ka shpallur vendimin  në rastin e njohur si “Veteranët”,  duke i liruar nga akuza  12 persona të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Elez Blakaj reagon pas vendimit të Gjykatës për rastin “Veteranët”: Ashtu siç pritej edhe ndodhi