Elez Blakaj reagon pas vendimit të Gjykatës për rastin "Veteranët": Ashtu siç pritej edhe ndodhi

Ish-prokurori i cili kishte hetuar listat e veteranëve të UÇK-së, Elez Blakaj, ka reaguar përmes një shkrimi në ‘Facebook’ pas lirimit nga akuza të 12 të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve.

Elezaj ka shkruar se ‘ashtu siç pritej edhe ndodhi’, duke thënë se në këtë proces gjyqësor publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% të provave materiale, sipas tij, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin.

“Edhe një mundësi e humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së, pas një procesi të degraduar nga lakmiqar dhe tregtar votash, duke tentuar të mbahët peng e vërteta të cilën qytetari e din shumë mirë”.

Tutje, Blakaj ka shkruar se si është e mundur që asnjë provë e këtij rasti, e në veçanti asnjë audio-incizim nuk ka rrjedhur në publik apo ndonjë portal, sipas tij, ‘ashtu siç bënin në fillim të këtij procesi me fabrikimin dhe publikimin e listave’.

“Pse nuk ka asnjë rezultat për hetimin e atyre të cilët kanë orkestruar, ndihmuar, dhe publikuar kundërligjshëm te dhënat personale të mijëra personave, të cilët sot janë të rrezikuar sa herë që udhëtojnë në vendet fqinje”, ka shkruar Blakaj.

Ish-prokurori gjithashtu ka shkruar se veteranët e UÇK-së duhet ta dinë, sipas tij, se Komisioni për Verifikimin e Statusit të Veteranit jo vetëm që nuk e ka përfunduar punën, por sipas tij edhe janë ‘tallur’ me procesin.

“Ashtu siç duhet ta dini: Se pas përfundimit të luftës janë krijuar brigada e njësi të reja të cilat nuk kanë ekzistuar gjatë luftës, e për të cilët befasohën edhe vet disa nga komandantët gjatë punës se komisionit qeveritar; Se ka qënë një garë në mes rajoneve se kush po bën më shumë veteranë luftetarë; Se është fituar statusi e veteranit luftetarë për çështje votash; Se si anëtaret e komisionit qeveritar kanë akuzuar dhe shprehur pakënaqësinë ndaj njëri tjetrit, se pjesë e listave për veteranë janë persona që se meritojnë si dhe ka persona të cilët kanë qënë pjesë e UDB-së”.

Blakaj gjithashtu u ka bërë thirrje ish anëtarëve të Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Veteranit, që të publikojnë audio-incizimiet e mbledhjeve të këtij Komisioni.

Gjykata e Prishtinës sot ka shpallur vendimin  në rastin e njohur si “Veteranët”,  duke i liruar nga akuza  12 persona të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Të akuzuar në këtë rast janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata liron 12 të akuzuarit për fryerjen e listave të veteranëve të UÇK-së