Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-ministri i Mbrojtjes: Lajm i mirë dhe i gëzueshëm rritja e buxhetit për FSK-në

Buxheti për vitin e ardhshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) pritet të jetë 100 milionë euro apo 1.3% e bruto produktit vendor.

Kështu vendosi ekzekutivi kosovar në mbledhjen e fundit ku edhe miratoi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2022.

Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë Haradinaj, Rrustem Berisha, ka thënë se rritja e buxhetit për ushtrinë e vendit është një lajm i mirë. Ai tha se kjo do ta ndihmojë FSK-në të avancoi më shpejtë.

“Është e qëlluar dhe është më shumë sesa që është paraparë në atë fazën e tranzicionit dhe kjo tregon edhe përkushtimin e shtetit. Mendoj që me këtë buxhet do të avancojnë shumë më herët sesa që është paraparë me planin 10 vjeçar”, tha Berisha për KALLXO.com.

Lajmit për rritjen e buxhetit për ushtrinë Berisha tha se duhet t’i gëzohet secili, pavarësisht mospajtimeve politike.

“Situata e sigurisë po bëhet gjithnjë e më e paparashikuar prandaj, sigurisht që është për tu përshëndetur buxheti prej 100 milionëve sepse ka qenë e paraparë që çdo vit nga 5 milionë euro shtesë të jenë. Kjo është një punë e mirë, një hap i mirë i qeverisë dhe ne duhet t’i gëzohemi të gjithë sukseseve të FSK-së”, tha ai.

Ish-ministri i Mbrojtjes ka sugjeruar se ku duhet të jenë investimet e FSK-së me buxhetin e ri të propozuar.

“Unë mendoj që është objektiv kryesor i FSK-së duhet të jetë blerja e armëve anti-tank, kundërajror dhe artileri e rënd, domethënë që ka të bëj me kapacitete mbrojtëse”, tha Rrustem Berisha për KALLXO.com

Shqipëria ka dyfish më shumë buxhet për ushtrinë se Kosova

www.kallxo.com