Albin Kurti e shkarkon drejtorin e Doganës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar drejtorin e Doganës, Bahri Berisha. Shkarkimi i Berishës ka qenë një prej vendimeve të para të Kurtit.

Përkundër që vendimi për shkarkim ishte marrë me datën 7 shkurt, një ditë pas zgjedhjes së qeverisë, ai është publikuar vetëm me datën 12 shkurt.

Bahri Berisha ishte zgjedhur në bazë të një konkursi që ishte zhvilluar me asistencën e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve të Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta.

Zgjedhja e tij ishte bërë nga qeveria e Isa Mustafës.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se vendimi i kryeministrit, Albin Kurti ishte për anulimin e vendimit të ish-kryeministrit, Ramush Haradianj, i cili ia kishte vazhduar mandatin drejtorit, Bahri Berisha pak para zgjedhjes së Qeverisë Kurti.

“Në përputhje me autorizimet e mia si Ministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, kam udhëzuar administratën e ministrisë që të shpallë konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës. Këtij vendimi i ka paraprirë një vendim tjetër i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i datës 7 shkurt, me të cilin është anuluar vendimi i ish kryeministrit në detyrë, i datës 24 janar, përmes të cilit i ishte vazhduar kontrata drejtorit ekzistues”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

“Këto dy vendime në asnjë rrethanë nuk e prejudikojnë performancën e drejtorit ekzistues. z. Bahri Berisha, për të cilin ruaj respekt të veçantë. Drejtorit aktual i ka skaduar mandati dhe procedurat kërkojnë hapje të konkursit, e në të cilin unë e inkurajoj fuqishëm që të aplikojë”, ka sqaruar ministri i Financave dhe Transfereve.