Ish-kundërkandidatët i ofrojnë përkrahje Abdixhikut: Na ke prapa!
Dy kundërkandidatët në garën për kreun e LDK-së, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa, i kanë ofruar përkrahje Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjes së tij si kryetar i këtij subjekti politik.
Lutfi Haziri deklaroi se do t’i qëndrojë prapa Abdixhiku në çdo kohë.
“Urime Lumir, do të të qëndroj mbrapa çdo ditë e çdo kohë. Na kanë shoshitë, analizu, e trazu me muaj të tanë se si do ta kalojmë procesin e 14 shkurtit, e 14 marsit. Për bindje time, të gjitha ato kanë ra në tokë. LDK është e madhe. Zoti ju rujtë”, tha Haziri.
Ndërkaq, Besian Mustafa i uroi Abdixhikut postin e ri duke thënë se gjithë LDK-në do t’i ketë ushtarë në vizionin e tij për LDK-në.
“Lumir, urime e suksese. Nga sot, mua, Lutën e gjithë LDK-në na ke ushtarë në vizionin tuaj për LDK”, u shpreh Mustafa.
Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas përfundimit të procesit, Abdixhiku iu drejtua delegatëve.
Fillimisht, ai falënderoi kundërkandidatët e tij, Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën.
Abdixhiku tha se sot po hapet një faqe e re për ta kthyer LDK-në në vendin ku ka qenë.