Isa Mustafa, kryetar i LDK-së. Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa: Qeverisë me PDK-në 'i ka dekë nana'

Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se vendimi i Kryesisë së Kuvendit për datën 22 gusht për seancën e shpërbërjes së Kuvendit është i drejtë.

“E konsideroj të arsyeshëm dhe të peshuar mirë vendimin e Kryesisë së Kuvendit për të caktuar më 22 gusht seancën për shpërndarjen e Kuvendit. Seanca nuk duhet të dështojë për mungesë të deputetëve ose të shumicës prej 2/3”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.

Zërat se gjatë kësaj kohe, LDK mund të përfundoi në koalicion me PDK-në, ai ka quajtur teori konspirative, ndërsa ka përdorur edhe një shprehje popullore në përpjekje për t’i shuar dyshimet.

“Zgjedhjet organizohen për t’ua mundësuar qytetarëve të shprehin masivisht vullnetin politik e jo për inat të njëritjetrit. Prandaj nuk është e arsyeshme të ndodhin në kohë pushimesh. Sa i përket blerjes së kohës për të arnuar qeveri me PDK-në, siç po tentojnë ta komentojnë disa, u them se për LDK-në “kësaj pune i ka dekë nëna”. Të mos i maltretojmë qytetarët me teori konspirative, por ti ftojmë të bëhemi gati për zgjedhjet e shtatorit”, thuhet në fund të postimit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.