Isa Mustafa nuk pret që të gjithë deputetët e LDK-së ta votojnë qeverinë e re

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nuk është i sigurt nëse të gjithë deputet e partisë do ia votojnë qeverinë e re.

Ai, pas takimit konsultativ të thirrur nga presidenti, Thaçi, tha se qeverisja të cilës pritet t’i prij LDK, ka dy synime kryesore.

“Unë nuk mund të them me siguri se do ta votojnë të gjithë deputetët sepse kemi pa që ka pasur deklarata, por edhe nëse ndonjëri prej tyre nuk e voton është e drejtë e tij kushtetuese ta bëjë atë por do të dëshiroja që kësaj radhe ta votojnë të gjithë sepse për mua nuk ka punë më të madhe në qoftë se ne i arrijmë dy synime themelore”, tha Mustafa para gazetarëve të mërkurën.

“Nën një, që ta fitojmë betejën me coronavirus dhe këtë betejë nuk e fitojmë vetëm ne si qeveri e ardhshme por së bashku, edhe LDK edhe VV edhe të gjithë. Dhe, dy, dialogun. Nëse ne arrijmë ta përfundojmë dialogun dhe ta anëtarësojmë Kosovën në OKB, të na njohin pesë vendet e BE-së dhe Serbia, pastaj ne e kryejmë punën tonë”, deklaroi ish-kryeministri kosovar.

“Mund të prishemi pak mes vete por ndreqemi pastaj në momentin që e rregullojmë çështjen e Kosovës”, tha ai duke komentuar votat eventuale kundër ekzekutivit të ri në vend.

Sot gjatë ditës, Presidenti, Hashim Thaçi, thirri në një takim konsultativ partitë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për të marr qëndrim mbi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme apo formimin e një qeverie të re nga legjislacioni aktual.