Flamuri i Iranit

Irani paralajmëron Izraelin për përshkallëzim nëse nuk i jep fund agresionit kundër palestinezëve

Irani e paralajmëroi Izraelin për përshkallëzim nëse “nuk i jep fund agresionit kundër palestinezëve”. Ministri i jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian tha se palët e tjera në rajon janë gati të veprojnë, njoftoi të dielën agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars.

Udhëheqësi suprem i autoritetit më të lartë iranian, Ajatollah Ali Khamenei tha të martën se Teherani nuk ishte i përfshirë në sulmin e grupit militant Hamas ndaj Izraelit, por përshëndeti atë që ai e quajti dështimin “e pariparueshëm” të ushtrisë dhe zbulimit të Izraelit.

Izraeli ka akuzuar prej kohësh sundimtarët klerikë të Iranit për nxitje të dhunës përmes furnizimit me armë të Hamasit. Teherani thotë se i jep mbështetje morale dhe financiare grupit, i cili kontrollon Rripin e Gazës.

Mbështetja e kauzës palestineze ka qenë një shtyllë e Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Ministri i jashtëm Amiabdollahian, i cili javën e kaluar akuzoi Izraelin se do të kryejë “gjenocid” me rrethimin ndaj Rripit të Gazës, tha se një sulm ndaj Gazës do të “hapte fronte të reja të rezistencës” në Lindjen e Mesme.

“Përgjegjësia për hapjen e mundshme të fronteve të reja të rezistencës në rajon dhe çdo përshkallëzim të luftës së sotme bie drejtpërdrejt mbi Shtetet e Bashkuara dhe regjimin zionist (Izraelin),” tha ai.

Amirabdollahian u takua me udhëheqësin e Hamasit Ismail Haniyeh të shtunën në Katar, ku diskutuan sulmin vdekjeprurës të grupit në Izrael “dhe ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin” për të arritur qëllimet e grupit, tha në një deklaratë Hamasi i mbështetur nga Irani.

Më herët, presidenti i Iranit Ebrahim Raisi i kërkoi Francës të ndihmojë në “parandalimin e shtypjes” ndaj palestinezëve në një telefonatë me homologun e tij Emmanuel Macron.

Zyra e presidentit Macron tha se ai paralajmëroi homologun e tij iranian kundër çdo përshkallëzimi të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.

“Presidenti i republikës e paralajmëroi Presidentin Raisi kundër çdo përshkallëzimi apo zgjerimi të konfliktit, veçanërisht në Liban”, tha zyra e zotit Macron përmes një deklarate.

“Duke pasur parasysh marrëdhëniet e tij me Hezbollahun dhe Hamasin, Irani ka përgjegjësi në këtë drejtim. Irani duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur një shpërthim rajonal,” shtoi ai./VOA.