IPK: Zyra për Komunitet dhe Ekipi i Teknikës Kriminalistike në stacionin policor në Obiliq nuk janë funksionale

Në raportin “Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Obiliqit” të publikuar nga Inspektorati Policor i Kosovës është treguar se në këtë stacion nuk funksionon Zyra për Komunitet dhe Ekipi i Teknikës Kriminalistike.

Raporti tregon se stacioni në fjalë ka numër më të madh të zyrtarëve policor nga ajo që lejohet, por nuk ka një sistemim të duhur të tyre dhe kjo bën që të mos arsyetohet mos funksionalizimi i disa prej njësive të parapara me Strukturë.

IPK tregon se në Ekipin e Teknikës Kriminalistike ka punuar zyrtari policor me përgatitje e trajnim adekuat, por se i njëjti nuk është aktivizuar në kuadër të ekipit në fjalë.

Kjo pasi sipas IPK-së ai është sistemuar në njësinë e kujdestarisë.

Inspektorati po ashtu ka analizuar edhe gjendjen e Stacionit me burime njerëzore, duke e krahasuar me Strukturën organizative.

Më 31 dhjetor 2022, gjatë inspektimit IPK ka thënë se stacioni ka pasur 63 punonjës, ndonëse struktura parasheh kapacitete prej 56 punonjësish.

Në këtë rast, IPK ka thënë se stacioni policor në Obiliq ka bërë tejkalim të burimeve në masën prej 12.5 për qind.

IPK ka treguar se pasur parasysh që këtë vit është rekrutuar një gjeneratë policësh, stacioni ka përfituar duke shtuar burimet njerëzore, duke bërë që të ketë prapë tejkalim të kapaciteteve të lejuara.

“Stacioni tanimë ka gjithsej 65 punonjës, nga të cilët, 59 të uniformuar dhe gjashtë shërbyes civil, duke tejkaluar kapacitetet e lejuara me strukturë në masën prej 16 për qind” – ka thënë IPK.

Ky tejkalim sipas Inspektoratit kryesisht ka të bëjë me numrin e zyrtarëve të uniformuar dhe mungesë të shërbyesve civil.

Raportin e plotë të IPK-së me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për stacionin policor në Obiliq mund ta gjeni KËTU.