Ilustrim - Foto: KALLXO.com

IPK: Në stacionin policor në Obiliq, në vend të togerit Sektori i Operativës udhëhiqet nga një rreshter

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin me gjetjet gjatë inspektimit në stacionin policor në Obiliq.

Një nga gjetjet kryesore të raportit është se Sektori i Operativës është udhëhequr nga një oficer me gradën e rreshterit.

Diçka e tillë IPK ka thënë se është në mospërputhje me udhëzimet e caktuara administrative, sipas të cilave Sektori Operativ duhet të udhëhiqet nga oficeri me gradën e togerit.

“Është identifikuar një rast, ku sistemimi i punonjësit në kuadër të strukturës organizative është përcjellë me mospërputhje pozitë-gradë. Sektori i Operativës parashihet të udhëhiqet nga një toger, por kjo pozitë mbahet nga punonjësi policor me gradë rreshter” – thuhet në këtë raport.

Po ashtu, gjatë inspektimit IPK ka hasur se në stacionin e Obiliqit ka punonjës të tjerë të angazhuar në vende pune për të cilat nuk janë kompetentë.

Këta punonjës IPK ka thënë se kanë vendime për të punuar në vende të tjera pune.

Sipas IPK-së, inspektimi ka vënë në pah se dy rreshterë që me vendime duhet të udhëheqin sektorët policorë, janë sistemuar dhe angazhuar si udhëheqës të njësive reaguese.

Po ashtu, IPK ka treguar se një zyrtar policor i stacionit në Obiliq është sistemuar nga një njësi e sektorit në bazën e të dhënave, për të cilën pozitë kërkohet të ketë verifikim dhe leje sigurie për kryerjen e detyrave.

IPK tregon në raport se polici në fjalë nuk ka poseduar leje të sigurisë, e cila kërkohet në bazë të rregulloreve dhe udhëzimeve administrative mbi të cilat vepron Policia e Kosovës.

Në raportin e Inspektoratit është theksuar se nga radhët e shërbyesve civilë në stacionin policor në Obiliq nuk ka zyrtarë të pasistemuar në kuadër të strukturës organizative.

Sot është publikuar raporti i Inspektoratit në kuadër të të cilit janë dhënë 22 rekomandime që kanë të bëjnë me funksionalizimin e njësive policore, sistemimin e personelit, regjistrin mbi vijueshmërinë, verifikimin e sigurisë së zyrtarit në bazën e të dhënave, ushtrimin/dokumentimin e kontrolleve të armëve dhe pajisjeve, furnizimin me jelekë dhe sprej kimik.

Po ashtu janë dhënë rekomandime për respektimin e afateve gjatë trajtimit të shkeljeve të lehta disiplinore, cilësinë e logut të ngjarjeve ditore, hartimin e planeve që adresojnë shqetësimet e qytetarëve, hartimin e raporteve pasoperative, vlerësimin e rrezikut për viktimat e dhunës në familje, procedimin e rasteve në Prokurori, kontrollin menaxherial në dhomën e dëshmive, mungesën e pajisjeve rezervë dhe shtesë në automjete e të tjera.