IPK trajton informacionin për ngjarjen kur kryetari i Obiliqit u largua nga kafja

Tensionet dhe kërkesat nga policia që të largohej nga një lokal për shkak se i kishte thyer masat kundër pandemisë COVID-19 Kryetari aktual i Komunës së Obiliqit, janë përshkruar në një raport policor për të cilin KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme.

Veprimet policore dhe ngjarjen tani më është duke e hetuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Zëdhënësi i IPK-së Arbër Beka ka thënë për KALLXO.com se rasti është në fazën e hetimit paraprak dhe po trajtohet nga Departamenti i Hetimeve deri sa shtoi se janë ndërmarrë disa masa për të njëjtin rast.

Ai nuk ka theksuar veprimet e ndërmarra ndërsa KALLXO.com është ende në pritje të përgjigjeve për të njëjtën çështje.

Në orët mes datave 15 e 16 shkurt, pra javën e kaluar një situatë e tensionuar kishte ndodhur në Komunën e Obiliqit.

Siç ka raportuar KALLXO.com gjithmonë duke u bazuar në dokumentin e siguruar, disa zyrtar policor kishin hasur në një lokal i cili po thyente masat e pandemisë dhe nuk ishte mbyllur.

Për disa minuta zyrtarët policor kishin qëndruar e pritur kryetarin e Obiliqit që të largohej nga një kafene.

Ngjarja fillimisht sipas raportit thuhet se ka nisur në lokalin “Nostra” rreth orës 12 në mesnatë.

Meqë kishin vërejtur se lokali ishte hapur, zyrtarët policor ishin afruar te dera e këtij lokali ku edhe kishin hasur në sigurimin e kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashin.

Sigurimi i Gashit siç përshkruhet në raport i kishin treguar zyrtarëve policor se kryetari kishte pirë pak alkool.

Zyrtarët policor kishin kërkuar që të largoheshin nga lokali dhe se po shkelnin masat që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Raporti i rreshterit të policisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se pas kësaj kërkese të policisë në tavolinën e kryetarit ishin porositur sërish pije. Pas kësaj, policët kishin shkuar më tutje, duke e paralajmëruar pronarin e lokalit, që nëse nuk mbyllet, menjëherë do të gjobitet.

Ngjarja nuk kishte përfunduar me kaq. Kryetari Gashi, sipas raportit policor, ishte larguar nga lokali dhe kishte shkuar në stacionin e policisë, e ku përshkruhet se kishte pasur ndërrim fjalësh në mes tij dhe policëve që e kishin mbyllur lokalin.

“Kush k*** je ti që po më maltreton mua, se tash ta thirri komandantin e stacionit dhe ministrin”, thuhet në raportin e Policisë, se iu është drejtuar Gashi njërit prej rreshterëve të policisë.

Tutje Gashi pretendohet se ka vazhduar diskutimin.

“Ti te koke shumë trim, çfarë provokimi po më bënë ti mu. Tash kom me ta thirr ministrinë edhe prej nesër ja unë ja ti në Obiliq se unë i kam marr 7 mijë e 500 vota e ti me më qit mu prej lokalit, a po donë matem masi koke kaq trim”, është thënë në raport se është shprehur Gashi.

Pas kësaj, në raport policor thuhet se vozitësi i tij, i ka dalë para kryetarit për të qetësuar situatën, ndërsa përgjigja e zyrtarit tjetër policor thuhet se ka qenë kjo: “Llargohu le të fletë kryetari se po matem, unë i kam 104 kilogram dhe kurrgjë personale nuk kemi me ju, përpos që e kemi zbatuar ligjin”.

Tutje në raport tregohet se pas kësaj ngjarje zyrtarë policorë kanë vlerësuar se nuk ka pasur nevojë të iniciohet ndonjë procedurë penale.

Që nga dita e premte, KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Komunën e Obiliqit dhe me kryetarin e kësaj komune, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Një ngjarje të tillë e ka konfirmuar edhe komandanti i stacionit policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri.

“Është largu nga lokali për shkak se e ka kaluar afatin prej 30 minutave”, ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.

Ai tutje ka shtuar se nuk di cilat janë rezultatet e kësaj ngjarje pasi nuk është duke e hetuar drejtpërdrejtë këtë ngjarje