Ilustrim - Panele solare

Investitori kërkon që qytetarëve që s’i kanë shtëpitë e legalizuara t'u lejohet të vendosin sistem fotovoltaik

Bujar Guci nga kompania “UniSolar” L.L.C. u ka bërë thirrje institucioneve kosovare që t’u lejohet qytetarëve që të vendosin mbi kulmet e shtëpive të tyre sisteme fotovoltaike për vetëkonsum edhe nëse shtëpitë nuk i kanë të legalizuara.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për krizën energjetike dhe energjinë diellore ka shpjeguar procesin dhe dokumentet që u kërkohen atyre nga ana e institucioneve për vendosjen e këtij sistemi.

Madje. Guci ka thënë se projekti që kërkohet nga ana e tyre bëhet në bazë të dokumenteve të pashkruara.

“Ne në momentin që e nënshkruajmë një kontratë me një klient e bëjmë projektin edhe e dorëzojmë sipas rregulloreve të pashkruara, nuk ka rregullore të shkruara” – tha Guci.

Sipas tij, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kërkon një pëlqim elektro-energjetik, edhe një pëlqim komunal, për vendosjen e sistemit fotovoltaik.

Këto dokumente kërkohen nga ana e investitorëve me qëllim që t’u lëshohet vendimi për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese për vetëkonsum deri në 100 kilovatë.

Ai tregoi se në këtë drejtim ka edhe vonesa kohore dhe, sipas tij, burokraci. Madje, ai thotë se është i bindur që kuvendet komunale, mbi 50 për qind e tyre dhe e drejtorive të urbanizmit nuk dinë as çka është pëlqimi për sistemin fotovoltaik.

“Nuk e dinë as qysh doket me u pa sepse nuk e kanë një urdhëresë, nuk e kanë një ligj, i cili u tregon se qysh duhet me u bo” – thotë Guci.

Ai shton se ZRRE e kërkon këtë pëlqim që investitorëve t’u lejohet që t’i vendosin panelet solare përmbi, por Guci thotë se kushti, për të cilin thotë se nuk e di kush e ka vendosur, është që shtëpitë të jenë me leje.

“Në Kosovë është problemi i legalizimit të shtëpive që e dimë të gjithë. Ata lypin që shtëpit të jenë me leje” – ka thënë Guci.

Ai gjithashtu shtoi se edhe nëse një shtëpi ka leje të ndërtimit, nga investitorët kërkohet vlerësimi i ndikimit në mjedis (VMN), që sipas Gucit është absurde që të kërkohet për panelet solare.

“VMN-ja me u lyp për sisteme solare është absurde sepse ndikimi i sistemit fotovoltaik ka veç ndikim të mirë edhe super të mirë” – ka thënë Guci.

Bujar Guci tregon se kostoja e VMN-së është një projekt 250 deri në 300 euro, varësisht prej projektit.

“Ne nga Ministria e Ambientit, e Infrastrkturës, ZRRE-së po kërkojmë që për shtëpi ju lutem t’i lejoni njerëzit, sidomos qytetarët që është konsumatori më i madh i energjisë elektrike në Kosovë edhe që ka ma i vujtë më së shumti reduktimet, me ia leju me i qitë sistemet fotovoltaike në kulm edhe nëse shtëpia nuk është e legalizuar” – shprehet Guci.

Se sa janë kulmet e shtëpive të qëndrueshme dhe të duhura për vendosjen e paneleve solare, Guci ka thënë se për këtë konsultohen me inxhinierët e ndërtimtarisë.

“Ne si kompani nuk marrim përgjegjësi me i vendos aty ku është dobët, konsultohemi me inxhinier të ndërtimtarisë” – tha ai.

Guci tregoi se nga këta të fundit kanë kuptuar se një kulm është i ndërtuar për të mbajtur 270 deri në 300 kilogramë peshë për metër katror.