Pse kompanive po u limitohet investimi dhe shitja e rrymës?

Kriza energjetike dhe energjia diellore është tema që po diskutohet në emisionin “Kallxo Përnime”, ku i ftuar është edhe Bujar Guci, nga kompania “Unisolar” L.L.C, i cili ka thënë se kufizimi i kapacitetit për prodhim të energjisë në 100 kilovatë po ndikon në investim dhe në shitje të energjisë elektrike nga ana e tyre.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë rregullore, të cilën e cakton Zyra e Rregullatorit të Energjisë, apo KEDS-i ose KOSTT-i në Kosovë, që shkruan diku që deri në 100 kilovatë mund të bëhet këmbim.

Guci pretendoi se kjo rregullore është e brendshme e KEDS-it.

“Ne kemi kërkuar nga zyra ligjore e ZRRE-së që dy-tre muaj me e-mail për rregulloren, e cila thotë deri në 100 kilovatë lejohet për me bo këmbim të energjisë” – ka thënë Guci.

Sipas tij, në tre apo katër muajt e fundit KEDS-i e ka ndryshuar edhe rregulloren për 100-kilovatëshin. Kjo, sipas Gucit, ka ndodhur pasi KEDS-it ‘nuk po i përshtatet më rregullorja e 100-kilovatëshit’.

Guci tregoi se këto rregullore po ndikojnë te kompanitë. “Na ndikon neve në shitje, në investimet që i bëjmë ne” – tha ai.

Kompania nga ai vjen, “Unisolar”,  deri tani ka instaluar 3 megavatë dhe pritet që të instalohen edhe të tjerë.

“Kemi instaluar 3 megavatë deri në fund të muajit shtator, po presim deri në fund të vitit edhe 2 megavatë të tjerë t’i instalojmë. Ashtu edhe i kemi edhe kontratat e nënshkruara” – tha Guci.

Ai tregoi se këto 5 megavatë për kompaninë e tyre janë vetëm për vetëkonsum. Sipas Gucit, ka sisteme të cilat nuk janë të paraqitura në ZRRE e as në KEDS fare.

Ai ka thënë se kjo është për arsye se janë në grupin tarifor 1/3, i cili, sipas Gucit, nuk lejon kyçjen apo shkëmbimin e energjisë elektrike me KEDS-in.

Besiana Qorraj-Berisha nga Departamenti i Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë ka thënë se ky kapacitet prej 100 kilovatësh për prodhim të energjisë nga vetëkonsumatoret do të rishikohet.

“Do të rishikohet ai pragu që është për 100 kilovatë kapacitet në mënyrë që të mos kufizohet me pasë mundësi edhe të shohim në të ardhmen se si do të vendoset” – tha Qorraj-Berisha.

Ajo tregoi se ky kapacitet është i vendosur nga ZRRE.

Për këtë çështje ka folur edhe Viktor Buzhala nga KEDS. Ai tha se duhet të shpjegohet qartë se për çfarë konsumatorësh po flitet.

Sipas tij, nuk po flitet për konsumatorë që do të prodhojnë për treg, por për konsumatorë vetëprodhues të cilët do e shfrytëzojnë atë energji elektrike vetëm për vete.

“Një konsumator nuk mund të ketë kapacitete shumë më të mëdhaja sesa shpenzimi. Prandaj, ekzistojnë disa limite” – tha Buzhala.

Ai tregoi se kjo është e njëjtë me komunikacionin.

“Nuk mundet secili shofer t’i caktojë rregullat në komunikacion. Shteti i cakton ato rregulla edhe mbikëqyrësi i atij sistemi sepse krijohet kaos” – tha ai.

Tutje Buzhala tha se limitimet ndodhin për shkaqe teknike sepse, sipas tij, mund të dhunohet rrjeti.

“Me e ndreq rrjetin vetëm për atë investitor që ai po don me prodhu për vete a? Nuk ka logjikë kjo” – tha ai.

Sipas tij, kjo nuk është e logjikshme sepse nuk mund të shpenzohen paratë e konsumatorëve të tjerë që, sipas Buzhalës,  t’i përshtaten secilit konsumator veçmas.