Komuna e Lipjanit - Foto: Facebook / Komuna e Lipjanit

Investimet e Qeverisë në Komunën e Lipjanit për vitin 2020

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Kuvendi i  Kosovës me 63 vota pro, miratoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Qeveria e Kosovës për vitin 2020, ka parashikuar investime në Komunën e Lipjanit rreth 2 milion euro.

Buxheti i kësaj komunë për këtë vit është rreth 18 milion euro, kurse vitin e kaluar e kishte afër 16 milion euro.

Edhe për këtë komunë shumica e projekteve janë të bartura nga viti 2019.

Investimet në infrastrukturën rrugore

604 mijë euro për 5 projekte rrugore janë ndarë për Komunën e Lipjanit nga niveli qendror për vitin 2020.

Për këtë vit është paraparë rehabilitimi i rrugës rajonale Lipjan – Magure, në vlerë prej 99 mijë eurove.

Ndërtimi i rrugës ‘Sadik Shala’, në vlerë 50 mijë euro. Projekt i vazhduar nga viti 2019.

Është parashikuar asfaltimi i rrugës tranzit ‘Lagjia e Konjuhit’ deri te rruga regjionale Lipjan – Janjevë, në vlerë prej 100 mijë eurove. Projekt ky i ri për vitin 2020.

Pastaj është paraparë ndërtimi i segmentit rrugor Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi, në vlerë prej 41 mijë eurove. Po ashtu projekt i vazhduar nga buxheti 2019.

Dhe rruga rreth hekurudhës prej udhëkryqit Gllogovc – Rubovc deri te stadioni i qytetit në Lipjan. Vlera e projektit është 214 mijë dhe është i bartur nga buxheti 2019.

Investime tjera

Gjithashtu për vitin 2020, është parashikuar rregullimi i shtratit të lumit Sitnica, në vlerë prej 600 mijë euro. Projekt ky i vazhduar nga buxheti i vitit 2019.

Qeveria ka parashikuar edhe rregullimin e Stadiumit të Qytetit me 200 mijë euro, po ashtu projekt nga 2019.

400 mijë euro të tjera janë ndarë për ndërtimin e shkollës së mesme ‘Adem Gllavica’. Gjithashtu projekt i bartur nga buxheti i vitit 2019.

Projekt i ri për vitin 2020 është revitalizimi i Qytetit të Vjetër të Janjevës në Komunën e Lipjanit. Për këtë projekt nga niveli qendror  janë ndarë 90 mijë euro.