Intervistimi i ish-bordit dhe ish-drejtorit të KEK-ut, si ishin trajtuar humbjet e energjisë në veri

Ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj dhe ish-anëtarët bordit, Agim Nika, Izet Ibrahimi, Flamur Keqa dhe Ismajl Januzi janë duke u intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Armend Muja gjatë leximit të një procesverbali të mbledhjes së bordit të KEK tha se ish-drejtori menaxhues, Arben Gjukaj ishte takuar me përfaqësues të qeverisë së Serbisë për kontraktimin e një kompanie që do të bënte enkasimim dhe kryente shërbime të tjera të energjisë në zonat veriore.

“Sipas procesverbaleve të mbledhjeve Arben Gjukaj raporton se me “pëlqim” të qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian është takuar me përfaqësues të Serbisë për nënshkrimin e një marrëveshje për kontraktimin e një kompanie/ndërmarrje për kryerjen e shërbimeve në veri që lidhen me energji dhe inkasim në veri. Kompania do tu përgjigjej ligjeve të Kosovës. A mund në ta tregoni së nga kush e keni marrë pëlqimin nga Qeveria”- ka thënë Muja.

Ish-drejtori Gjukaj tha se pëlqimin e kishte marrë nga Kryeministri i asaj kohe dhe Ministri i Energjisë.

“11% e energjisë humbeshin në ato zona. Ne kemi bërë një plan i cili qysh me ju qas pjesës veriore ne kemi propozua dhe KEK ka gjet një zgjidhje kreative që një kompani e nënkontraktuar të kryej 4 shërbime në zonat veriore. Në asnjë moment nuk është diskutua për askete. Pajtimin e kam marrë nga të gjitha palët e interesit, takimet janë mbajt me ndihmë të BE. Me sa e di gjithë njerëzit, ministri i linjës së energjisë dhe kryeministri kanë qenë në dijeni”-tha Arben Gjukaj.

Deputeti i Levizjës Vetëvendosje, Armend Muja ka pyetur nëse është e vërtetë qe kanë ndal blloqe për shkak të marrëveshjeve me kompanitë serbe.

“Ne në bazë të të dhënave që nga 2006/2013 KEK ka importu rrymë nga Rudnap dhe EFT. Thuhet që në vitin 2008 është nënshkru kontratë me negocim direkt me EFT dhe Rudnap, në mes tetor 2008 dhe mars 2009. Sipas raportit për shkak të kohës së mirë në nëntor të 2008 KEK ka pas më shumë prodhim sesa konsum por për shkak të marrëveshjeve është dashtë më i ndal blloqet e prodhimit. Zotëri Gjukaj a është e vërtetë qe keni ndal blloqe për shkak të marrëveshjeve me kompanitë serbe”- tha deputeti, Armend Muja.

Ish drejtori, Arben Gjukaj tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.

“Asnjëherë një bllok nuk është ndalë për një operator, e them me përgjegjësi të plotë”- tha Gjukaj.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa pyeti për gjendjen e KEK dhe shitblerjen e energjisë në periudhën kur Gjukaj kishte marrë mandatin.

“Cila ka qenë kompetenca juaj në shitblerjen e rrymës dhe cili ka qenë roli juaj si menaxhmenti i KEK-ut në privatizimin e KEK në vitin 2012. Në humbje a është përfshi furnizimi me rrymë i veriut. A janë faturua këto humbje për konsumatorët që e kanë pagua”- Hajdar Beqa, kryetar i Komisionit.

Ish-drejtori Gjukaj, shpjegoi gjendjen e KEK në periudhën kur kishte qenë në pozitë.

“Unë e kam marrë mandatin nga 04.06.2008 deri më 01.06.2018. E kemi gjet me një humbje prej 56% pra vetëm 44% e rrymës faturohej. E kemi gjete Prishtinën 3/3 reduktime e tjerat qytete 4/2 reduktimë. 78 milionë euro kanë qenë të hyrat nga kompania dhe e e kemi gjet pa qymyr. Kemi gjet një borxh të pretenduar nga ATK 110 milionë euro. Ne kemi bo hapa konkret në zonat e veriut, ne e kemi ngrit dhe kemi thënë se këto humbje duhet të kualifikohen si humbje politike. Jemi bordi i parë që kemi marrë hapa konkret ndaj asaj zone”- Arben Gjukaj.

Ish-kryesuesi i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Fadil Çitaku dhe ish anëtari i bordit, Mujë Rugova përkundër ftesës nga Komisioni nuk kanë qenë i pranishëm në mbledhje.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ishte propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje pas kërkesës nga opozita për themelimin e një tjetër komisioni hetimor që të hetohen vendimet e qeverisë Kurti në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike në dhjetor të vitit të kaluar.

Të dy komisionet hetimor ishin votuar në kuvend në maj të këtij viti.