Inspektorati i Shëndetësisë identifikon 4 institucione private të palicencuara

Gjatë inspektimit, Inspektorati i Shëndetësisë ka identifikuar katër institucione shëndetësore private që nuk ishin të licencuara.

Institucionet janë identifikuar në Prishtinë, Pejë, Ferizaj dhe Fushë Kosovë.

“Në kuadër të inspektimeve të natyrës specifike ndaj subjekteve për të cilat ka ekzistuar dyshimi i bazuar se ushtrojnë veprimtari të paligjshme, janë identifikuar katër institucione shëndetësore private të cilat kryenin veprimtari të paligjshme, në komuna të ndryshme (Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Fushë Kosovë), respektivisht ishin të palicencuara” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas këtij njoftimi, Inspektorati i Shëndetësisë, sipas autorizimeve ligjore, kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme ndaj këtyre subjekteve që kanë kryer shkelje ligjore.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në zbatimin e Ligjit dhe dispozitave të tjera në funksion të rritjes së cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve mjekësore dhe kujdesit ndaj qytetarëve në Institucionet Shëndetësore. Ndaj shkelësve të ligjit nuk do të ketë asnjë tolerancë”-është thënë në njoftim in e Ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se subjektet që ofrojnë shërbime shëndetësore duhet të respektojnë të gjitha rregullat e parapara me ligj për ushtrim të veprimtarisë.

Gjithashtu është bërë e ditur se së shpejti do të shtohen edhe kapacitetet inspektuese pas përfundimit të procedurave rekrutuese të 25 inspektorëve të rinj shëndetësor, me pranimin e të cilëve numri i inspektorëve shëndetësorë do të shkojë në 37 nga 12 sa janë tani.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe zbatimit të ligjit, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të sinjalizojnë kur hasin në veprimtari të dyshimta të institucioneve shëndetësore” – ka apeluar Ministria e Shëndetësisë.