Foto: Reuters/BBC

India regjistron numrin më të madh të të vdekurve nga COVID-19 brenda një dite

India ka regjistruar numrin më të lartë ditor të vdekjeve nga coronavirusi që nga fillimi i pandemisë – një ditë pasi u bë vendi i parë që arriti më shumë se 400 mijë raste të reja.

Ministria e Shëndetësisë tha se 3,689 njerëz kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit, raporton BBC.

Kryeministri Narendra Modi u takua me ministrin e Shëndetësisë sot për të shqyrtuar krizën.

Spitalet po luftojnë për të trajtuar pacientët mes një mungese të madhe të shtretërve dhe oksigjenit mjekësor.

Pamjet shqetësuese të familjeve që kërkojnë shtretër spitalorë dhe pajisje për të shpëtuar jetën kanë dalë për më shumë se 10 ditë, ndërsa morgjet dhe krematoriumet mbeten të mbingarkuara.

Mes krizës, numërimi i votave filloi sot për zgjedhjet e mbajtura në pesë shtete në mars dhe prill.

Rezultatet do të shihen si shenja se si pandemia ka ndikuar në mbështetjen për Modi-n dhe partinë e tij nacionaliste Hindu, BJP.

Të shtunën, 12 persona kanë vdekur në Spitalin Batra të Delhi-t pasi mbaroi oksigjeni – kjo ndodhi për herë të dytë brenda një javë.