Incident në Trepçë, sulmohen u.d. kryeshefi dhe një drejtor - VIDEO
Disa persona janë parë paraditen e sotme në objektin e “Trepçës” duke hyrë në mënyrë demonstrative.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës në “Trepçë” Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup i njerëzve.
Në videon të cilën e ka siguruar KALLXO.com, disa persona shihen duke hyrë në vrap ndërsa dëgjohen momentet kur edhe kërkojnë personat e caktuar brenda objektit.
“Po, jam sulmuar, momentalisht jam në spital”, ka thënë shkurt Enis Abdurrahmani, u.d. kryeshef në “Trepçë”.
Edhe Besim Haxhiu ka thënë se është sulmuar fizikisht nga disa persona. Sipas tij, njerëzit që e sulmuan janë të ish ushtruesit të detyrës së kryeshefit, Rafet Ibishi.
“Disa persona kanë hyrë në objekt më kanë goditur mua. Këta janë njerëz të Rafet Ibisht. Tani këtu është edhe policia”, ka thënë shkurt ai.
Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Rafet Ibishin për të konfirmuar incidentin brenda objektit në “Trepçë”. Por, ai ka mohuar se sulmuesit e dyshuar janë njerëz të tij.
Ibishi ka thënë se ata që kanë hyrë në mënyrë demonstrative në objetin e “Trepçës” po kundërshtojnë zgjedhjen e Enis Abdurrahmanit në pozitën e u.d. kryeshefit në këtë ndërmarrje.
“Po qashtu është, janë ardhur. Arsyeja është se është bë një menaxher pa e bë pranim dorëzimin e detyrës ka bërë marrëveshje. Fjala është për Enis Abdurrahmanin”, tha Ibishi.
“Këta njerëz mund të jenë të Rafetit, Besimit, të gjithëve, ai (Besim Haxhiu) le të thotë çfarë të dojë. Por, unë i kërkova falje edhe në emrin tim, por edhe në emër të punëtorëve, e rastësishme ka ndodhë”, tha ai.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por ende nuk ka pranuar përgjigje rreth incidentit në fjalë.
Të premten, Bordi i Përkohshëm i “Trepçës” shkarkoi nga detyra e u.d. kryeshefit, Rafet Ibishin. Në vend të tij, Bordi emëroi Enis Abdurrahmanin.
Bordi i Qeverisë Kurti emëron U.D. kryshef të “Trepçës” të ish-kandidatin e PDK-së për asamble
www.kallxo.com