Trepça

Bordi i Qeverisë Kurti emëron U.D. kryshef të “Trepçës” të ish-kandidatin e PDK-së për asamble

Një ish-kandidat për asamble komunale është zgjedhur Ushtrues Detyre i kryeshefit ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Trepça”.

Bordi i Përkohshëm i kësaj ndërmarrjeje, ka vendosur që në vend të Rafet Ibishit, i cili u shkarkua sot, të jetë Enis Abdurrahmani. Këtë për KALLXO.com e konfirmoi vetë Abdurrahmani.

“Po, sot jam emëruar si Ushtrues Detyre i kryeshefit të “Trepçës” pra si një proces normal derisa të vazhdojnë procedurat e rregullta për zgjedhjen e menaxhmentit në ndërmarrje”, tha ai.

I njëjti, ishte kandidat për asamble nga Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Mitrovicë. Por, Abdurrahmani e ka mohuar se ka qenë ndonjëherë anëtarë i partisë PDK.

Ligji për Ndërmarrjet Publike, neni 17 i cili flet për “Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale”, parasheh edhe rastet kur një person me të kaluar politike nuk mund të zgjidhet anëtarë apo kryesues i bordit në një ndërmarrje publike.

Pika ‘K’ e këtij neni thotë që një person “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në ligj.

Kjo, nuk e përfshinë edhe të zgjedhurin Enis Abdurrahmani pasi i njëjti ka deklaruar që s’ka qenë anëtarë partie dhe si kandidat ka qenë para katër viteve.

“Po, unë kam qenë si kandidat për asamblist por nuk kam qenë anëtarë partie asnjëherë, as i PDK-së asnjë partie tjetër. Jam që 18 vite këtu në “Trepçë”, jam edhe profesor në Universitet”, deklaroi ai.

Sot gjatë ditës, Bordi i Përkohshëm i “Trepçës” shkarkoi nga detyra e U.D. e kryeshefit, Rafet Ibishin.

Më 12 tetor 2021, bordi i Trepçës e ka anuluar konkursin për kryeshef ekzekutiv, i cili ishte shpallur më 2 shtator të vitit 2021.

Më 8 tetor, Bordi i Përkohshëm i Trepçës ka mbajtur mbledhjen, në të cilën janë shqyrtuar aplikacionet e personave të cilët kanë aplikuar për pozitën e kryeshefit ekzekutiv. Në fund të kësaj mbledhje, anëtarët e Bordit të Përkohshëm kanë ardhur në konkluzion që ky konkurs duhet të anulohet dhe të rishpallet një konkurs i ri.

Përveç konkursit për kryeshef ekzekutiv të Trepçës, Bordi i Përkohshëm i Trepçës ka anuluar edhe konkursin për zyrtar kryesor financiar dhe të Thesarit të Trepçës.

Shkarkohet u.d. kryeshefi i “Trepçës”, Rafet Ibishi

www.kallxo.com