Suspendohet drejtori i Administratës dhe një zyrtar në Trepçë

Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani ka suspenduar drejtorin e Administratës, Besim Haxhiu dhe një zyrtar të burimeve njerëzore.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, Abdurrahmani dhe Haxhiu kanë akuzuar njëri-tjetrin për kërcënime.

Sipas kryeshefit të Trepçës, dje gjatë ditës në zyrat e menaxhmentit Besim Haxhiu ka hyrë me forcë dhe ka shqelmuar dyert e zyrave. Sipas tij, ai ka kërcënuar mbrojtjen e afërt të tij dhe punonjësit tjerë të ndërmarrjes.

“Ata dje kanë kërcënuar mbrojtjen time të afërt por edhe mua dhe rasti është edhe në polici dmth ata janë nën hetime. Po, vëllai im është pjesë e mbrojtjes së afërt. Ata janë suspenduar nga puna”- ka konfirmuar Abdurrahmani.

“Unë i kam suspenduar pasi është hapë rasti në polici, ata janë nën hetime. Ai e ka goditë derën më këmbë, i ka kërcënuar edhe punonjësit tjerë por edhe mua”- tha tutje ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Drejtori i Administratës në Trepçë, Besim Haxhiu tha se është suspenduar pa të drejtë nga kryeshefi i ndërmarrjes, Enis Abdurrahmani.

Sipas Haxhiut, ai u pengua për të hyrë në objektin e Trepçës nga vëllai i kryeshefit, i cili është edhe mbrojtje e afërt e tij.

“Jam suspendua përkohësisht për gjashtë muaj, siç po më shkruan ky vendimi, është e vërtetë. Më ka penguar në detyrë polici vëllai i kryeshefit i cili punon si mbrojtje e afërt e Enis Abdurrahmani, më ka penguar me hy në zyre në menaxhment”- tha ai.

Sipas Haxhiut, e gjithë historia nisi para disa muajve.

“Kjo punë ka nis para tre muajve sepse kryeshefi më ka kërcënuar në telefon për shkak se personave nuk ua kam nënshkruar pagat atyre që nuk vijnë në punë. Për këtë rast unë kam qenë në polici, e kam lajmërua rastin”- deklaroi Haxhiu për KALLXO.com.

“Bëhet fjalë për dy punëtorë të sigurimit që kanë qenë të suspenduar, unë nuk ua kam nënshkruar pagat sepse nuk kanë qenë në punë”- tha ai.

Sipas tij, së bashku me të  është suspenduar edhe një zyrtar te Burimet Njerëzore.

Por, kreshefi i Trepçës, Enis Abdurrahmani ka mohuar pretendimet e Haxhiut.

“Sa i përket pagave të dy punëtorëve, nuk është e vërtetë, ai s’ka nënshkruar kurrë paga. Secili këtu i din detyrat e veta”- tha ai.

“Sa i përket zyrtarit tjetër, ai sepse dje më ka kërcënuar dhe ka dëshmitarë për këtë”- ka thënë Enis Abdurrahmani.